Pyetja:
Dy rekatet namaz vullnetar pas abdesit si aplikohen praktikisht?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Dy rekatet, të cilat falen pas abdestit, janë nga sunetet që i ka preferuar Pejgamberi ﷺ. Nga hadithet që e vërtetojnë këtë veçojmë:
Pejgamberi ﷺ i tha Bilalit: “O Bilal, kam dëgjuar kërcitjen e papuçeve të tua në xhenet. Më trego se çfarë vepre të mirë ke bërë.” Bilali tha: “O i Dërguar i Allahut, nuk kam marrë abdes ndonjëherë e të mos i kem falur namaz aq sa kam mundur.” [1]
-Hadithi i Othman ibën Affanit, ku në një rast ai ka kërkuar ujë për të marrë abdest dhe pasi mori abdest në formën më të mirë dhe më të përsosur, tha: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ që ka marrë abdest në këtë formë si kam marrë unë tani dhe ka thënë: “Kush merr abdest si abdesti im dhe pastaj fal dy rekate duke mos folur për diçka tjetër (d.m.th duke mos u preokupuar me diçka tjetër), Allahu ia fal atij mëkatet që ka bërë.”
Këto dy hadithe vërtetojnë vlerën e këtij namazi dhe dijetarët thonë se më e preferuara është që këto dy rekate të falen menjëherë pas abdestit, pasi me këtë bëjmë lidhjen ndërmjet dy adhurimeve me vlerë (abdesit dhe namazit). Madje disa kanë thënë që të lidhemi në namaz madje para se të thahen pjesët e lagura të abdesit.
Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
—————————
[1] Buhariu dhe Muslimi
[2] Buhariu