Pyetje: Cilët janë argumentet e faljes së namazit të xhenazes në mungesë (prej së largu); a lejohet apo jo? Përveç rastit të Nexhashiut, a ka ndonjë argument tjetër?
Përgjigjja: FALJA E XHENAZES PA PRANINË E TRUPIT
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Juristët muslimanë kanë mendime të ndryshme nëse lejohet ose jo të falet namazi i xhenazes së një të vdekuri musliman kur trupi i këtij të vdekuri nuk është i pranishëm por është larg, si vijon1:
Mendimi i parë: Nuk lejohet falja e namazit të xhenazes kur i vdekuri është larg
Medh’hebi hanefi dhe maliki janë të mendimit se sa më sipër (falja e namazit të xhenazes së muslimanit të vdekur kur trupi i këtij të vdekuri nuk është i pranishëm por është larg) nuk lejohet (nuk është në përputhje me normat juridike islame) dhe lidhur me namazin e xhenazes që Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ia fali Nexhashiut në largësi, këta juristë janë përgjigjur se kjo ka qenë e veçantë për Profetin (Paqja qoftë mbi të!).
Në kontekstin e këtij mendimi të tyre këta juristë argumentohen se një gjë që është e mundshme të ketë ndodhur është që Profetit (Paqja qoftë mbi të!) t’i jetë paraqitur shtrati ku gjendej trupi i vdekur i Nexhashiut (mbretit abisinitas që vdiq në mesin e popullit të tij jomuslimanë, pasi kishte pranuar islamin fshehurazi) e Profeti (Paqja qoftë mbi të!) t’ia ketë falur kësisoj atij xhenazen me një namaz të sojit të namazit që i falet të pranishmit që gjendet para syve. Argument për këtë është fakti se nuk ka mbërritur ndonjë transmetim nga Profeti (Paqja qoftë mbi të!) që t’ia falte namazin të vdekurve në mungesë; pra falja në mungesë (distancë / nga larg) e xhenazes së Nexhashiut ishte një sunet (traditë profetike e veçantë për Profetin), ashtu sikurse edhe lënia e të këtillë namazi sërish konsiderohet sunet (përmbajtje ndaj traditës profetike të mosfaljes së xhenazeve në distancë / në mungesë të trupit). Ndërkaq, për asnjë pas Profetit (Paqja qoftë mbi të!) nuk ekziston ndonjë mënyrë që ta shquaj shtratin e të vdekurit nga një distancë e largët dhe që ai (trupi i të vdekurit) t’i paraqitet e t’ia falë xhenazen atij, kështu që bëhet e ditur se sa në fjalë ishte një rast i veçantë vetëm për Profetin (Paqja qoftë mbi të!).
Mendimi i dytë: Lejohet të falet xhenazja nga larg edhe nëse është falur më parë
Mendimi i medh’hebit shafi’i dhe ai i dukshëm i medh’hebit hanbeli është se ky namaz lejohet (u përmbahet normave ligjore islame), bazuar në transmetimin autentik profetik ku vjen se “Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ua dha muslimanëve (të prënishëm) lajmin e vdekjes së Nexhashiut në ditën kur ky i fundit vdiq dhe doli me ta (muslimanët e pranishëm) në vendfalje, i radhiti në rreshta dhe mori mbi të katër tekbira (ia fali atij xhenazen)”2; pra Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ia fali Nexhashiut xhenazen, për t’ua bërë me dije muslimanëve se Nexhashiu kishte qenë besimtar dhe që t’u kumtonte atyre t’i kërkonin falje Allahut të Madhëruar për të, pasi ai kishte qenë në mesin e një populli jobesimtar duke e mbajtur besimin e tij islam të fshehtë, ndaj xhenazja e tij nuk qe falur3.
Mbështetësit e këtij mendimi thonë se namazi i xhenazes i falet muslimanit që është larg edhe nëse atij ia kanë falur namazin e xhenazes muslimanë të tjerë; kurse refuzuesve (mbështetësve të mendimit ndalues) këta juristë u janë përgjigjur se “pretendimi i veçantisë së faljes së namazit të xhenazes së Nexhashiut për Profetin, pra mendimi se kjo ishte një veçori dalluese e Profetit”, nuk mund të dëshmohet vetëm se me argument të qartë, pasi parimi (rregulli juridik) themelor është që “umeti (bashkësia muslimane) është e urdhëruar të ndjekë shembullin e Profetit (Paqja qoftë mbi të!) dhe ta marrë për model”.
Në këtë kontekst vlen të përmendet se medh’hebi shafi’i ka kushtëzuar që në këtë rast namazi të falet vetëm nga një person që ka qenë kompetent (i kualifikuar) për faljen e këtij namazi ditën e vdekjes së muslimanit që do ia falë namazin e xhenazes.
Lidhur me formën e përgjithshme të faljes së këtij namazi, Ibn Kudame thotë: “I drejtohesh kibles (Qabes) dhe i falet atij [të vekurit që gjendet larg] namazi (i xhenazes) siç falet në rastin e të pranishmit [të vdekurit që gjendet pranë nesh]; qoftë nëse i vdekuri është në drejtim të kibles dhe qoftë jo, qoftë nëse mes dy vendeve [vendit ku gjendemi dhe atij të të vdekurit] ka një distancë sa ajo e shkurtimit të namazeve, qoftë jo. Ky është edhe mendimi i Shafi‘iut.”4
Mendimi i tretë: Lejohet falja e xhenazes nga larg edhe nëse është falur më parë, po qe se muslimanëve u ka ardhur dobi e përgjithshme nga ky i vdekur musliman
Një prej mendimeve të imam Ahemd Ibn Hanbelit është se falja e namazit të xhenazes kur trupi i të vdekurit është larg, lejohet që t’i falet vetëm kujt ka merita të veçanta apo rang (begraund) të veçantë ndër muslimanët… Sipas këtij mendimi, falja e namazit të xhenazes kur trupi i të vdekurit musliman është larg lejohet t’i falet vetëm kujt i ka sjellë muslimanëve një dobi të konsiderueshme, si p.sh. një dijetari musliman, luftëtari musliman, pasaniku musliman që u ka bërë dobi njerëzve me pasurinë e tij etj.
Mendim i katërt: Lejohet të falet xhenazja nga larg nëse nuk është falur më parë
Tjetër mendim i imam Ahemd Ibn Hanbelit (që përbën mendimin e Ibn Tejmijes, Ibn El-Kajimit, Ibn Uthejminit etj.) është se falja e namazit të xhenazes kur trupi i të vdekurit musliman është larg, lejohet vëtëm kur atij nuk i është falur namazi i xhenazes në vendin e tij, kurse nëse i është falur nuk lejohet; madje për këtë rast (sipas Ibn Uthejminit) ky namaz duhet të falet, sepse kështu shlyhet obligimi kolektiv i faljes së namazit të xhenazes.
– Mendimi më parësor (më i fuqishëm) është se falja e namazit të xhenazes kur i vdekuri është larg, lejohet vetëm për rastin e një muslimani që vdes në një territor ku nuk gjendet pranë tij dikush që t’ia falë atij namazin e xhenazes; kurse nëse atij i është falur një herë namazi i xhenazes aty ku ka vdekur, pas kësaj nuk bën që ky namaz t’i falet sërish.
Allahu e di më mirë.




