Pyetja:

Jam një grua që punoj në një biznes për veshje fëmijësh dhe aty nuk ka meshkuj që punojnë me ne e të përzihemi me ta, mirëpo unë nuk barti mbulesë islame. A më pranohen: Namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi nëse unë punoj një punë të tillë?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon vetëm Allahut të Lartësuar, përshëndetjet, lëvdatat të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ.

Së pari: Mbulesa për femrat muslimane, që nga moshë madhore është obligim, pra asaj nuk i lejohet që para meshkujve të huaj moshërritur, të qëndrojë pa mbulesë, ngase kështu do të bëjë mëkat.

Së dyti: Namazi është obligim për çdo musliman moshërritur; femër dhe mashkull, madje obligimi dhe adhurimi më madhështor pas besimit në Allahun. Kështu edhe zekati, agjërimi dhe haxhi, për ata që i plotësojnë kushtet për obligueshmërinë e tyre. Pra, femra pavarësisht se a mban mbulesë apo nuk mban, duhet ta falë namazin dhe assesi nuk duhet të mendojë se përderisa nuk bartë mbulesë nuk duhet as të falet, sepse mbulesa është obligim në vete, e edhe namazi është obligim në vete. Më e mira është që të dyja këto të kryhen, por prapë më mirë është të kryhet njëra (namazi në këtë rast), sesa asnjëra.
Së treti: Fetarisht femra nuk është e obliguar të punojë jashtë shtëpisë, por këtë duhet ta bëj burri, mbi të cilin rëndon përgjegjësia e përkudesjes financiare për gruan dhe fëmijët e tij. Ndërsa puna më fisnike dhe më frytdhënëse për femrën, është puna me fëmijët e saj; edukimin e tyre në mënyrën më të mirë duke i mbushur ata me ndjenjën e mëmësisë dhe duke e bërë më të mirën për ta. Nëse paraqitet nevoja që femra të punojë jashtë shtëpisë; të jep kontributin e saj në fusha të ndryshme ku është e nevojshme prezenca e saj, apo kur ajo është e detyruar të punojë, në pamundësi që dikush tjetër të kujdeset finaciarisht për të, atëherë punon jashtë shtëpisë së saj, mirëpo duke iu përmbajtur dispozitave të fesë së saj dhe normave të etikës fetare. Përndryshe, nëse femra nuk ka nevojë të punojë jashtë shtëpisë, apo nuk ka ndonjë punë me rëndësi që e kërkon me doemos kontributin e saj, puna e saj jashtë shtëpisë më tepër i ngjan kototësisë, sesa kontributdhënies e arritjes së pasurisë. Ngase mungesën e saj në shtëpi dhe punët që i kryen ajo aty, nuk mund të zëvendësohen në asnjë mënyrë. Ndërsa kontributi i saj në punët me rëndësi jashtë shtëpisë, apo për ta siguruar mbijetesën për shkak të rëndësisë që kanë, vihen para rolit të saj të pazëvendësueshëm në shtëpi.
Së katërti: Puna në biznes të lartëcekur, në parim nuk është haram (e ndaluar) dhe nuk ka efekt në mospranimin e adhurimeve (namazit, agjërimit, etj), porse ajo duhet të vlerësohet sipas kritereve që u përmenden në pikën numër tre. Allahu e di më së miri.

Hoxhë dr. Rasim Haxha

Comments are closed.