Pyetja:

Gjithmonë kam probleme të ndryshme dhe çdo herë që më ndodh ndonjë fatkeqësi, unë i lutem Allahut që të ma mundësojë vdekjen sa më shpejt dhe të shpëtoj nga problemet që më kanë rënë mbi kokë, së paku unë e shoh këtë si rrugëdalje të vetme dhe qetësim për mua. Si qëndron ky veprim i imi në Islam, lejohet të veproj në këtë mënyrë apo jo?!

***

Përgjigjja:

Sa i përket kërkimit të vdekjes nga ana juaj si shkak i fatkeqësive të shumta të cilat e godasin njeriun (muslimanin), duhet të dimë se një veprim i tillë është i ndaluar në Islam.

E themi këtë sepse Muhamedi ﷺ ka thënë:
“Askush nga ju nuk duhet ta kërkojë vdekjen e tij për shkak të ndonjë fatkeqësie, por nëse mendon se duhet ta kërkojë atë patjetër, atëherë le të thotë: O Zot! Nëse jeta ime është më e mirë për mua, atëherë më jep mundësi të jetoj, por, nëse vdekja ime është më e mirë për mua, atëherë më jep mundësi që të vdes”.

Si rrjedhojë e kësaj, muslimani duhet të shpresojë tek shpërblimi i Allahut dhe të presë me durim dhe duke bërë dua kalimin e fatkeqësisë nga e cila është goditur.

Dije, oj muslimane, se Muhamedi ﷺ ka thënë: “Fitorja vjen me durim, gëzimi vjen pas dëshpërimit dhe pas çdo vështirësie vjen lehtësimi”.

Në të njëjtën kohë, ne, si muslimanë, duhet të kemi parasysh se vështirësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohet dhe goditet muslimani gjatë jetës ia largojnë dhe pastrojnë një pjesë të gjynaheve dhe se vetëm me durim dhe shpresë arrihet tek shpërblimi i Allahut. Nëpërmjet sprovave muslimani ngritet në grada të larta tek Allahu.

Mu për këtë arsye, Allahu në Kuran thotë: “Atyre të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Zotit jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” (Bekare :156)

Në fund, do dëshiroja t’i them pyetëses, lidhur me faktin se ajo thotë vdekja është rruga e vetme e qetësimit dhe shpëtimit të saj nga problemet dhe fatkeqësitë, sepse duhet ta ketë ne dije motra në fjalë se ky është një mendim tërësisht i gabuar dhe në kundërshtim të plotë me atë se çka na mëson dhe urdhëron Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Motër e nderuar!

Mos harro se vdekja nuk i zgjidh dhe largon problemet tuaja, porse ajo i shton edhe më shumë – e sidomos kur njeriu vdes duke pasur gjynahe për të cilat nuk është penduar akoma nga ato.
Në këtë rast, vdekja juaj nuk do të bënte gjë tjetër pos që do të shpejtonte dënimin e Allahut ndaj jush.

Motër! Ti duhet të bësh durim, sepse çdo fatkeqësi e cila të godet, sado e madhe qoftë ajo, e ka fundin e saj.
Argument se gjendja juaj do të ndryshojë është Fjala e Allahut:

“E, me të vërtetë, me vështirësi – arrihet në lehtësi, me të vërtetë, me vështirësi – arrihet në lehtësi (lumturi)!”. (Inshirah: 5-6)

Allahu është më i Dituri!

Muhamed bin Salih El Uthejmin

Përktheu: Suad Shabani