1. Të folurit
Nëse falësi gjatë namazit harron ose qëllimisht flet diçka që nuk është nga namazi, namazi i tij është i prishur.
Të folurit e prish namazin, pavarësisht nëse është i shkurtër apo i gjatë.
Më e vogla që quhet e folur është shprehja e përbërë nga dy tinguj dhe që ka kuptim-domethënie.
Që të folurit ta prish namazin, kushtëzohet që ta dëgjojë ai që flet, të jetë aq me zë sa ta dëgjojë vetë folësi, në të kundërtën, nuk llogaritet e folur.
Gjithashtu, është kusht që të folurit të jetë i qartë.
Të folurit e prish namazin edhe nëse namazliu nuk e di që të folurit e prish namazin, nëse detyrohet për këtë ose nëse e bën gabimisht.
Të qajturit me zë, nëse bëhet për shkak kujdesit të Xhenetit ose Xhehenemit, nuk e prish namazin, ngase kështu vepronte i Dërguari i Allahut dhe kjo është si dua për mëshirë dhe falje për namazliun.
E, nëse të qarit bëhet për shkak ndonjë fatkeqësie të kësaj bote ose i bie diçka ndërmend që e ka humbur, e prish namazin.
Nëse qanë për shkak ndonjë plage apo kokëdhembje që nuk mund ta ndalojë dhembjen, namazi i tij nuk prishet.
Namazin e prishin edhe ofshamat-gjëmat, oh, uh, nëse bëhet për shkak nxehtit, ftohtit, dhembjes që mund të përballohet ose kujtesës së ndonjë fatkeqësie.
Namazin e prish kollitja pa arsye dhe pa nevojë, lejohet kollitja për t’ja bërë me dije dikujt që je në namaz, ndërsa ai të thërret apo të kërkon diçka.
Namazin nuk e prish kollitja me nevojë, teshtima apo gogsima.
Tek medhhebi Hanefi, të qeshurit me zë e prish edhe namazin edhe abdesin.
Lejohet përmisimi i imamit kur ai gabon, por jo të gjithë duhet të flasin, duke përmisuar ajetin apo gjënë e harruar nga imami.
2. Ushqimi dhe pija
Namazin e prish konsumimi i çdo gjëje që ndodhet jashtë gojës, qoftë edhe pak, siç është një kokërr ose pikë uji nga shiu apo nga mbetja e ujit të abdesit.
Gjithashtu, namazin e prish gëlltitja e ushqimit të mbetur nëpër dhëmbë, nëse ajo mbetje e ushqimit është sa madhësia e bizeles.
Nëse falësi e vendos kokrrën e sheqerit e cila shkrihet pa u përtypur dhe depërton në bark, namazi i tillë prishet.
Përtypja dhe luajtja me çamçakëz (sakëz) e prish namazin edhe nëse nuk gëlltitet çamçakëzi gjatë namazit.
Është e pëlqyer shpërlarja e gojës me ujë para hyrjes apo nisjes në xhami, nëse paraprakisht ke ngrënë ushqim (duke qenë me abdes) apo ke pirë qumësht apo pije me yndyrë.
3. Lëshimi i njërit prej shtyllave apo farzeve të namazit
P.sh.; lënia e rukus apo sexhdes.
4. Hadethi
Lëshimi i gazrave me zë qofshin ato apo pa zë, lëshimi i sekrecionit nga organi seksual, rrjedhja e shumtë e gjakut prej hundëve apo plagëve, pikat e pandërprera të urinës.
5. Zbulimi i avretit
Namazin e prish zbulimi i një të katërtës së avretit.
6. Dezertimi nga Feja
Kur falësi i namazit vendos që pas namazit të bëhet jobesimtar ose gjatë namazit beson në diçka që është tipar i ateizmit (kufrit).
7. Prekja e papastërtisë
Qoftë me duar, gjunjë apo me ballë.
8. Kthimi i shpinës Kibles
Namazin e prish, nëse falësi i namazit e kthen gjoksin në anën e kundërt të Kibles pa arsye; nëse dikush e shtyn falësin në drejtim të kundërt, namazi nuk prishet, por prap duhet të kthehet kah Kibla.
9. Lëvizjet e mëdha
Namazin e prishin edhe lëvizjet që nuk janë pjesë përbërëse të tij.
Me shprehjen “lëvizje të mëdha” është për qëllim veprimet, të cilat falësi i bën, e nëse dikush do ta shikonte, do të mendonte se filani nuk qenka duke u falur, nuk qenka në namaz.
Lëvizjet e vogla falen, me kusht që mos të përsëriten tre herë radhazi.
- Nëse gruaja gjatë namazit e mban fëmijën në dorë dhe i jep gji, kjo e prish namazin, ngase është veprim i madh.
- Nëse vetëm e mban në dorë, por nuk i jep gji, nuk e prish namazin, ngase kjo lëvizje është shumë më e vogël.
- Nëse fëmija e thith gjirin e nënës dhe prej gjirit del qumësht, namazi prishet, ngase kjo llogaritet gjidhënie dhe veprim i madh.
- Nëse gruaja e puth burrin e saj në namaz pa dashjen e tij, namazi nuk prishet; nëse burri e puth gruan në namaz, prishet namazi, ngase puthja është stimulim direkt për kontakt intim.
- Nëse falësi e prek dorën e dikujt në namaz me qëllim përshëndetje, namazi prishet; nëse e godet dikë, prishet; nëse i përgjigjet dikujt me shprehjen “selam”, prishet; por nëse i përgjigjet me kokë apo shenjë, nuk prishet.
- Nëse falësi e gjuan ndonjë shpezë me gurë apo ndonjë insekt, namazi prishet.
- Nëse tund rrobat apo faculetën për flladitje më shumë se tre herë pa ndërprerë, namazi prishet.
- Nëse mendja i shkon diku tjetër në namaz, namazi nuk prishet, por humb devotshmëria e kërkuar.
Sipas Ebu Hanifes, leximi me Kuran hapur në namaz duke e mbajtur në dorë Mus’hafin, namazi prishet, kurse sipas nxënësve të Ebu Hanifes (Ebu Jusufi, Muhamedi), namazi nuk prishet, por personi ka bërë mekruh tenzihen.
Arsyetimi i prishjes së namazit sipas Ebu Hanifes është lëvizjet e tepërta gjatë mbajtjes së Mus’hafit, mosthënia së paku e një ajeti përmendsh gjatë namazit dhe leximi hapur i Mus’hafit gjatë namazit — sikurse mësimi jashtë namazit, andaj namazi prishet me këtë veprim.
Ecja, para ose mbrapa në namaz, nëse bëhet për ta plotësuar safin, namazi nuk prishet.
Përmblodhi dhe përshtati:
Hoxhë Suad Shabani




