Përgjigja:
Femra e cila në kohën kur është e pastër e shtyn namazin nga fillimi i kohës së tij dhe pastaj ndodh që para se të mbarojë koha e atij namazi i vijnë menstruacionet, nuk është e obliguar që ta kompensojë këtë namaz pas pastrimit të saj.
Kjo për shkak se ajo e ka vonuar namazin brenda kohës së tij të lejuar dhe pasi asaj i erdhën menstruacionet brenda kësaj kohe, atëherë ajo lirohet nga kompensimi i tij.
Ibën Tejmije lidhur me këtë thotë:
“Fjala më e saktë, të cilën e mbështesin edhe argumentet, është ajo e Ebu Hanifes dhe e Malikut (Allahu i mëshiroftë), të cilët thonë se ky namaz nuk ka nevojë për kompensim.”(Mexhmu el-Fetava, 23/335)
Në rastet kur femra pastrohet para perëndimit të diellit, atëherë përveç namazit të ikindisë ajo obligohet të falë edhe atë të drekës. Nëse pastrohet para lindjes së agimit, atëherë duhet të falë akshamin dhe jacinë e asaj nate, pasi koha e namazit të dytë është edhe kohë e namazit të parë në rast nevoje.
Kjo për shkak se dijetarët, duke u bazuar në argumentet fetare, për raste nevoje e lejojnë bashkimin e dy namazeve në kohën e njërit prej tyre, si p.sh. gjatë udhëtimit muslimanit i lejohet të bashkojë dy namaze në kohën e njërit prej tyre për shkak të nevojës apo arsyes që në këtë rast është udhëtimi.
Ibën Tejmije thotë:
“Shumica e dijetarëve janë të mendimit se nëse femra pastrohet në fund të ditës, atëherë ajo duhet ta falë drekën dhe ikindinë së bashku, dhe nëse pastrohet para agimit¹, atëherë fal akshamin dhe jacinë së bashku. Kjo është transmetuar nga shumica e dijetarëve si dhe nga disa prej sahabëve, si Abdurrahman ibën Aufi, Ebu Hurejra dhe Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta).” (Mexhmu el-Fetava, 22/76)
Shkëputur nga libri: “Dispozitat fetare mbi ciklin menstrual, hemorragjinë dhe lehoninë.” / Hoxhë Lulzim Susuri




