Nëse personi falet jo në drejtim të Kibles, për shkak të mjegullës apo diçka tjetër, pasi është përpjekur dhe kujdesur të gjejë drejtimin e saj, namazi i tij është i saktë (ne atë drejtim që mendon se është Kibla) dhe nuk e përsërit atë.

Shpjegimi

Nëse muslimani përpiqet të gjejë anën e Kibles dhe falet në anën që mendon se ajo gjendet, e pas përfundimit të namazit i bëhet e qartë se ka gabuar dhe nuk është falur në drejtim të Kibles, namazi i tij është i saktë dhe nuk e ka detyrë ta përserisë namazin nga e para, qoftë kjo nëse i bëhet i qartë gabimi brenda kohës së namazit apo pas daljes së tij, me dy kushte:

• Kushti i parë:

Të jetë përpjekur brenda mundësive të tij për gjetjen e anës së Kibles. Ndërsa nëse e fillon namazin duke mos u përpjekur për gjetjen e Kibles dhe pas namazit i bëhet e qartë se ka gabuar, atëherë e ka për detyrë ta përsërisë namazin.

• Kushti i dytë:

Të jetë në një vend ku lejohet ixhtihadi (përpjekja). E nëse ndodhet në nj vend ku një gjë e tillë nuk është e nevojshme, si p.sh.: në vendet islame, mjafton të shikojë xhaminë dhe e mëson anën e Kibles, ose mjafton të pyesë njerëzit.

Nëse është në një vend të tillë dhe bën përpjekjet e tij për të gjetur anën e Kibles e pastaj falet por gabon (në gjetjen e Kibles), ai e ka detyrë ta përsërisë namazin.

Po ashtu, nëse nuk gjendet në vendet muslimane por para tij ka xhami, dhe muslimanët janë rreth xhamisë, por ai përpiqet nga vetja e tij për gjetjen e Kibles duke mos pyetur muslimanët e as duke shikuar xhaminë (se në cilën drejtim gjendet) dhe i bëhet e qartë se ka gabuar, atëherë e ka detyrë ta përsërisë namazin nga e para.

Pra, patjetër duhen këto dy kushte:

1. Të jetë përpjekur (për gjetjen e Kibles)

2. Të jetë në një vend ku i lejohet të bëj ixhtihad (bën përpjekje).

Nëse personi o vëllezër bën përpjekje dhe hulumton për gjetjen e Kibles, p.sh.: ndodhet në një fushë ku koha është me mjegull dhe fillon faljen e namazit, por, gjatë namazit mjegulla largohet dhe dielli duket, e i bëhet e qartë se Kibla gjendet pas shpinës së tij.

Si duhet të veprojë? Ashtu siç është në namaz (duke u falur) kthehet në drejtim të Kibles. Pjesa e namazit e falur jo në drejtim të Kibles nuk e zhvlerson namazin e tij. Kështu që, e plotëson namazin në anën nga e cila u drejtua. Bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar:

“Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni.” (Et-Tegabun, 16).

Dhe në fjalën e të Lartësuarit:

“Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësisë që ka.” (El-Bekare, 286).

Dhe fjala e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i cili thotë:

“Kur t’ju urdhëroj për ndonjë gjë, atëherë mundohuni të praktikoni (përmbushni) prej saj sa të mundeni.” Mutefekun alejhi.

Përktheu: Unejs Sheme