Pyetja:

Jam 25 vjeçare dhe jam në lidhje me një djalë gati qe një vit e gjysmë, por lidhjen nuk e kam stabile! Ka raste të shumta kur lidhja jonë gjendet në kriza shumë të mëdha! Nuk e kuptoj aspak partnerin tim, njëherë më thotë që ka mbaruar kjo punë, unë nuk të pëlqej, unë nuk të dua, ti nuk je për mua, më ofendon, më nënçmon, më shfrytëzon etj., pastaj kalojnë disa ditë e kthehet përsëri! Ky proces ndodh shumë herë, por unë nuk mundem më, jam shkatërruar, jam lodhur tepër! Nuk di si të veproj, i them që edhe nga ana ime ka marrë fund kjo punë, por ai përsëri më kërkon! Me të vërtetë dua të gjej një zgjidhje përfundimtare.

***

Përgjigjja:

Motër, është krejtësisht e kuptueshme jeta e pakuptimtë e një lidhjeje bashkëshortore të paqëndrueshme, andaj fillimisht e lus Allahun që të dalë në ndihmë!

Ajo që e bën të paqartë problemin tuaj për ne, është mos-përshkrimi real i lidhjes që keni. Është fjala për lidhje martesore pra jeni e kurorëzuar me burrin dhe jetoni tek ai, apo jeni e kurorëzuar, por nuk jetoni me të, apo fare nuk jeni e kurorëzuar por thjesht e keni partner, të dashur, kalon me të etj., prej shprehjeve që përdorin të rinjtë sot fatkeqësisht?

Megjithatë unë po përgjigjem sipas dy versioneve.

Nëse jeni e martuar respektivisht e kurorëzuar dhe burri i juaj të ka thënë më shumë se tri herë se ti nuk je për të dhe se ai nuk të do etj., atëherë ajo martesë e juaj vetëm ka marrë fund dhe nuk ju lejohet që të vazhdoni lidhjen me të në asnjë mënyrë.

E nëse nuk jeni e kurorëzuar me të, duhet ta dini se çfarëdo kontakti me të, qofshin ato edhe biseda telefonike, nuk lejohen në asnjë mënyrë dhe çdo lidhje me të duhet ndërpre urgjentisht dhe duhet penduar tek Allahu për mëkatet që i keni bërë të çfarëdo niveli qofshin ato. Më pastaj, nëse personi në fjalë është i interesuar t’i legjitimojë lidhjet me ju, le ta ec procedurën e rregullt të fejesës dhe martesës nëse për këtë pajtoheni ju dhe prindi i juaj. Në të kundërtën, mos lejo që ai të luan me nderin tënd, pasi kjo gjë është haram për ju të dytë, si dhe është njollosje për personalitetin dhe jetën tuaj.

Nëse ju keni kaluar kufijtë e ndaluar dhe keni manifestuar dashuri dhe kontakte intime me të, ndërpriti ato menjëherë dhe kërko që të martohesh në mënyrë të ligjshme me të, edhe nëse nuk je shumë e kënaqur ndaj tij, në mënyrë që të ruhet nderi i juaj!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku