Pyetja:

Hoxhë i nderuar, dëshiroj t’ju pyes diçka në lidhje me një ëndërr që kam parë. Të nesërmen e asaj dite që kam parë ëndrrën, jam sëmurë nga një frikë e cila ma merr dëshirën për jetë dhe mendoj vetëm për vdekje. Mendoj t’i bëj vetes diçka por s’kam vullnet për asgjë. Në ëndërr pashë dy plaka të cilat ma kërkonin dorën. Unë njëherë nuk ua dhashë por pastaj i thashë vetes se do të bie shehadet. Pasi ua dhashë dorën atyre sikur vdiqa e shkova shumë lart. Sa mirë ishte, aso kënaqësie kurrë s’kam përjetuar! Të nesërmen pasdite u sëmura, kisha  dhimbje në zemër dhe më ndalej fryma. Kam shkuar te mjeku dhe i kam bërë të gjitha analizat por mjeku më tha  se këtë e ke si të them prej shpirtit. Prej asaj dite unë gjithnjë kam problem me zemrën, kam rrahje të ndryshme, kam shumë ankth, kam problem tash edhe me shtypjen dhe shkaku i saj po mundohem të bëj durim, me ndihmën e Allahut. Mundohem t’i kryej obligimet e mia fetare, nuk i bëj askujt keq dhe si person jam shumë e ndjeshme. Deri atë ditë unë për të gjithë isha gruaja më e gëzuar në botë. A kam shërim apo duhet të jetoj kështu? Më tregoni mundësisht se çka të bëj?

***

Përgjigjja:

Motër e nderuar!
Në bazë të asaj që ju keni përshkruar, keni nevojë që të shkoni te ndonjë hoxhë që fryn me Kuran (bën rukje), të dëgjoni pak Kuran dhe të përdorni terapinë që ua sugjeron ai hoxhë. Shërim padyshim që me ndihmën e Allahut ka. Ju vazhdoni t’i kryeni obligimet fetare ditore si dhe të tjerat, sepse aty është qetësia dhe baza e ilaçit tuaj. Në anën tjetër, shmangu sa më shumë mëkateve sepse ato janë ushqim i sëmundjes suaj. Dëgjo sa më tepër recitim të Kuranit!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku