Pyetje: KURIMI I VESVESEVE-MENDIMEVE TË LIGA


Jam pushtuar në mendje nga vesvese apo mendime të liga (përfshirë edhe për Zotin dhe fenë islame), por unë në vetëdijen time ndihem shumë keq në lidhje me këtë, pasi e di se ato bien ndesh me besimin tim islam. Nganjëherë më pushtojnë edhe mendime femohuese që më mundojnë vërtet shumë, por pas kësaj unë i kërkoj Allahut të më falë dhe të më mbrojë prej kësaj gjëje që ngjet pahiri në unin tim. Na tregoni si mund të kurohet kjo gjendje shumë e neveritshme dhe e sikletshme.


 Përgjigjja: KURIMI I VESVESEVE-MENDIMEVE TË LIGA


Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Në lidhje me çështjen e parashtruar, thuhet sa vijon1:

 

Dijetarët muslimanë theksojnë se faktorët e pushtimit prej vesveseve apo mendimeve të këqija, mund të jenë psikiko-psikologjike, educative, influencuese ose reflektuese të një situate të tashme ose të së kaluarës; por gjithsesi shejtani (djalli) ka rolin më të madh në mendimet e këqija që e prekin personin lidhur me çështjet e besimit e adhurimit të shenjta dhe çështjet njerëzore e materiale të shtrenjta për të.

Fakt është se këto mendime të liga djalli ia sjellë kryesisht personit që gjendet në rrugën e Zotit që ta bëjë të ndihet keq dhe që ta pengojë në rrugën e Zotit që ky person po ndjek.

 

TRAJTIMI I VESVESEVE-MENDIMEVE TË LIGA

Udhëzimi që japin dijetarët muslimanë për personin që preket nga ngacmimet apo vesveset blasfemuese (femohuese), është që ai duhet të mos i dorëzohet këtyre ngacmimeve të shejtanit, pasi kështu bie në kurthin që shejtani ka synuar ta bëjë të bjerë, i cili është më konkretisht futja e pikëllimit, parehatisë e antipatisë (ndjenjës së mospëlqimit) për domosdoshmëritë fetare islame në zemrën e këtij personi, me qëllim që ta pengojë këtë person nga rruga e Zotit…

Kurimi prej këtyre vesveseve (mendimeve) të liga është i lehtë e i thjeshtë dhe mjafton të veprohen udhëzimet islame në vijim:

Udhëzimi i parë: Të mbështetemi fuqishëm te Allahu, t’i kërkojmë Atij me sinqeritet të na mbrojë nga të këqijat e shejtanit dhe prej këtyre mendimeve të liga, të falim rregullisht namazin, të kërkojmë falje dhe të pendohemi sinqerisht, si dhe të bëjmë sa më shumë dhikër (përmendje lavdëruese dhe madhëruese të Allahut) përfshirë përmendjet dhe lutjete e posaçme ditore dhe ato të mëngjesit dhe të mbrëmjes2.

Udhëzimi i dytë: T’i lutemi Allahut sa më shumë për prehjen e zemrës sonë përmes mënjanimit dhe largimit të këtyre vesveseve (çrregullimeve), si dhe të ndjekim udhëzimet referente profetike të ardhura për këto raste, ku urdhëzimi bazë është që për të larguar këto vesvese çrregulluese, kur ato të vijnë të thuash: “EŬUDHU BIL-LAAHI  MIN ESH-SHEJŤAANIR-RAXHIIM / Strehohem tek Allahu të më mbrojë nga shejtani i mallkuar”.

 

Po kështu, të tjera lutje shumë të mira në këtë kontekst, janë p.sh. lutjet:

Lutja e parë:

“EŬUDHU BI KELIMEETIL-LAAHIT-TEEM-MEETI, MIN SHER-RI MAA KHALAǨ.”

Kuptimi shqip: “Mbrohem përmes fjalëve të plota të Allahut nga e keqja (sherri) i gjithçkaje që Ai ka krijuar.”3

Lutja e dytë:

Transliterimi (duaja me shkronja latine): “EŬUDHU BI KELIMEETIL-LAAHIT-TEE-MEETI, MIN GAĎABIHI, UE ĬǨAABIHI, UE SHER-RI ĬBAADIHI, UE MIN HEMEZEETISH-SHEJAAŤIINI, UE EN JEȞĎURUUN.”

Kuptimi shqip: “Mbrohem përmes fjalëve të plota të Allahut, nga zemërimi i Tij, nga ndëshkimi i Tij, nga ligësia e robërve të Tij, nga ngacmimet e djajve dhe që ata të të afrohen.”4

 

Udhëzimi i tretë: Të bëjmë kujdes që kur të prekemi prej këtyre çrregullimeve, t’i kontrollojmë ato me përpikëri (të mos i lejojmë që të na pushtojnë), të flasim dhe të sillemi në mënyrë sa më korrekte, duke u përpjekur që t’i hedhim ato mënjanë dhe t’i japim fund ndjelljes pas tyre, duke e larguar mendjen nga ato, të bindur mbi dëmin e rendjes pas tyre, duke përfituar nga udhëzimet dhe tolerimet fetare të ardhura për rastin e prekjes prej tyre5; sepse çdo hap ndjekës i këtyre çrregullimeve dhe mendimeve të liga, shpie në një hap edhe më shqetësues se paraardhësi (për t’i dhënë fund atyre ndihmon për shembull ta zësh menjëherë mendjen dhe veten me gjëra të dobishme të fesë apo dynjasë).

 

Kuptimi këtu është që të mos u shkojmë pas këtyre vesvese por t’i këpusim dhe refuzojmë posa të na vijnë, si dhe ndërkaq të themi EŬUDHU BIL-LAAHI  MIN ESH-SHEJŤAANIR-RAXHIIM / Strehohem tek Allahu të më mbrojë nga shejtani i mallkuar, “EEMENTU BIL-LAAH / E besoj Allahun”; me t’i lënë këto vesvese mënjanë të merremi me përmendjen dhe madhërimin e Allahut të Lartësuar, t’i lutemi Atij me sinqeritet dhe përulje dhe të dërgojmë salavat6 (ta lusim Allahun për mëshirë e lavdërim prej Tij) mbi Profetin e Muhamed (Paqja qoftë mbi të!).

Pse jo, këto vesvese djallëzore mund t’i shndërrojmë “në orë me zile” për të shtuar përmendjen e Allahut dhe aspiruar akoma e më tepër shpërblimin e Tij.

 

Udhëzimi i katërt: Nëse këto mendime femohuese dhe ngjashëm, vijojnë të na vijnë dhe bëhen shqetësuese për ne, në këtë rast duhet të kurohemi tek specialistët (hoxhallarët dhe psikologët apo mjekët psikiatër).

– Në përfundim, në rrugëtimin tonë drejt fuqizimit të besimit të drejtë islam, një lutje e fuqishme është edhe ajo me të cilën e luste Allahun, i Dërguari i Tij, Muhamedi (Paqja qoftë mbi të!): “O Allah, Shndërruesi i zemrave, shndërroji zemrat tona në bindje ndaj Teje.7 O Kthyesi i zemrave, përforcoje zemrën time në Fenë Tënde!”8

/https://www.jetaever8.de/

  1. Shih:  islamqaislamwebislamwebislamqaislamweb dhe islamweb.
  2. Shih: Mburoja e muslimanit, f. 53 etj.
  3. Muslimi 2708, Ebu Daudi 3455 etj.
  4. Shih: Et-Tirmidhi 3528 etj.; Albani ka thënë se hadithi është “sahih / i vërtetë”.
  5. Shih: DYSHIMI DHE HUTIMI GJATË ADHURIMIT dheTË DYSHUARIT E SHUMTË GJATË NAMAZIT.
  6. Shih: Salavati (thënia): “ALL-LLAAHUM-ME ŠAL-LI UE SEL-LIM ĂLEE MUȞAM-MED / O Allah! Mëshiroje, lavdëroje dhe prehe në paqe Muhamedin”.
  7. Muslimi 2654.
  8. Et-Tirmidhi 2140, Ibn Maxhe 3834; Albani ka thënë se ky transmetim profetike është sahih/i vërtetë.