Pyetja:
Kam sëmundjen e alergjisë së lëkurës dhe mjeku ma ka ndaluar përdorimin e ujit. Si duhet të veproj me rastin e marrjes së abdestit?
***
Përgjigjja:
Islami është fe e cila me parimet e saj u përshtatet nevojave të njerëzve dhe u jep përgjigje për problemet e tyre të përditshme. Prej parimeve themelore të fesë sonë është mosngarkimi i njeriut me detyra e përgjegjësi që nuk ka mundësi t’i kryejë. Allahu xh.sh., thotë:
“Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij.” (Bekare: 286)
Nëse për shkak të alergjisë së lëkurës mjeku ua ka ndaluar përdorimin e ujit, atëherë së pari ju këshillojmë që nëse është mundësia që të vendosni çajin kamomil në ujë për disa sekonda, në atë masë sa uji të mos e ndryshojë shijen, aromën apo ngjyrën, respektivisht të mos bëhet çaj, do të ishte një veprim i qëlluar dhe ju mund të merrni abdest me atë ujë. Nëse edhe këtë ua ka ndaluar mjeku, atëherë këtu kemi dy situata:
E para: Nëse keni alergji në tërë trupin, atëherë në vend të abdestit, merrni tejemum.
E dyta: Nëse keni alergji në disa pjesë të trupit, atëherë pjesët që keni mundësi, i pastroni me ujë, kurse pjesët që nuk keni mundësi t’i pastroni me ujë, i fërkoni me dorë të lagur. Nëse edhe fërkimi me dorë të lagur ju dëmton, atëherë për pjesët që nuk keni mundësi t’i pastroni me ujë merrni tejemum. Pra merrni edhe abdest edhe tejemum.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi