Pyetja:

Shpesh bëj dua: O Allah na bashko me Muhamedin ﷺ, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin, etj. Mirëpo unë pasi jam femër kam turp dhe bëj dua o Allah bashko me ndonjë prej sahabëve femra, si me Fatimen, Hatixhen kurse burrin me Ebu Bekrin dhe Omerin. Megjithatë bëj dua: “O Allah na bashko me Muhamedin ﷺ në xhenetul firdeus” se kam dëshirë me taku mirëpo më vjen turp.

***

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin ﷺ mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Motër e nderuar, vazhdo ashtu siç je sepse je në rregull. Allahu të shtoftë turpin sepse me lejen e Allahut ky turp është i lavdëruar.

Dhe lutu që Allahu të bashkojë me gratë e Profetit ﷺ dhe të devotshmet, sepse ato, inshallah, janë shoqëria jote në xhenet, porse me lejen e Allahut nuk ka problem nëse lutesh: “O Allah, me bashko me Muhamedin ﷺ , sepse ai është profeti që Allahu dërgoi tek ty dhe kjo është shenjë e fitores dhe e suksesit të tij.”

Pastaj, duhet të dish se në xhenet gjërat nuk janë si në dynja. Kështu që ti apo muslimanët mund ta shohin Profetin ﷺ edhe pa qenë pranë tij. Nëse hoxhallarët bëjnë të tilla lutje, ti thuaj amin madje dhe fuqishëm, për faktin se bashkimi yt me ta është se do të jesh me ta në xhenet, por kjo nuk do të thotë se do të jesh në një vend me ta në mënyrë që ata të të shohin ty.

Allahu e di më së miri.

Bledar Haxhiu