Këndimi i sures Jasin njëqind herë

122. I nderuar hoxhë! A është e vërtetë se nëse i këndon njëqind jasina është sikur të këndosh hatme, sa është e vërtetë kjo?

Përgjigjja: Surja Jasin sipas radhitjes është kaptina e tridhjetë e gjashtë e mus’hafit dhe përbëhet prej 83 ajetesh. Vlera e leximit të Kur’anit është shumë e madhe, ngase për çdo shkronjë të Kur’anit ka dhjetë shpërblime. Ibën Mesudi transmeton se i Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: ”Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut-Kur’ani, do të ketë shpërblim, e shpërblimi do të dhjetëfishohet. Nuk them elif lam mim është një shkronjë, por elif është një shkronjë, lam është një shkronjë dhe mim është një shkronjë.”[1]

Për vlerën e kësaj sureje kanë ardhur disa hadithe, shumica e të cilave janë të rrejshme apo të shpikura, por disa nga ato edhe të dobëta shumë ose pak. Ndër to janë edhe:

-“Çdo gjë ka zemër, e zemra e Kur’anit është Jasini. Ai që e lexon atë është sikurse ta lexojë tërë Kur’anin dhjetë herë.”

-“Kush e lexon suren Jasin në mbrëmje, do të gdhihet të nesërmen i falur.”

-“Kush e lexon Jasinin për çdo natë, kur të vdesë, do të vdesë si shehid.”

-“Kush hyn në varreza (i viziton ato) dhe e lexon (Jasinin), atë ditë do t’u lehtësohet të vdekurve dhe ai do të ketë sevap sa persona të vdekur ka në atë vend.”[2]

Dhe hadithe të tjera në të cilat bazohen ata që i kushtojnë rëndësi të veçantë sures Jasin, madje edhe e barazojnë atë me vlerën e hatmes.

Vlen të ceket se hatme konsiderohet leximi i plotë i Kur’anit prej kaptinës Fatiha deri te kaptina Nas, prandaj leximi i cilësdo sureje të Kur’anit, qoftë kjo edhe sure Jasin, me numër të caktuar nuk mund të ketë vlerën e hatmes, por ka sevap dhe kaq.

Njeriu lexon Kur’an, sure apo ajete aq sa ka mundësi. Natyrisht sa më shumë, aq më mirë, e më e mira e saj është që gjatë leximit të meditojë, të kujtojë Madhërinë e Allahut xh.sh., të lutet kur vijnë ajetet e xhenetit dhe të kërkojë mbrojtje kur vijnë ajetet e xhehenemit, por nuk lexon Kur’an apo ndonjë sure të caktuar duke menduar se nëse arrin këtë numër apo këtë shifër, atëherë ka arritur këtë sevap apo ka për të ndodhur diçka e ka për t’u realizuar një dëshirë, e të ngjashme me këto… Nga ky kontekst, themi se leximi i sures Jasin njëqind herë nuk arrin shkallën e hatmes, ashtu siç nuk ka hadith të vërtetë për këndimin e asaj sureje të bekuar me numër të caktuar.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Tirmidhiu, nr. 2910, dhe ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”.

[2] Shiko më gjerësisht rreth këtyre haditheve dhe transmetimeve të tyre në: El-Mevduat Ibn el-Xhevzij, 1/246-247. El-Fevaid el-Mexhmua Esh-Shevkanij, fq. 300-302.