Vajtimi dhe lotët

Është e ndaluar që të vajtohet dhe të bërtitet për të vdekurin. Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, ka thënë: “I vdekuri dënohet nga vajtimi i të gjallëve.” (Buhariu, Ibn Ebi Shejba).

Po ashtu ka thënë: “Nëse i vdekuri vajtohet me zë, do të dënohet për atë lloj vajtimi.” (Buhariu, Bejhekiu).

Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, u merrte besën grave se ato nuk do të bërtisnin. Kështu ka thënë Umu Atija, Allahu qoftë i kënaqur me të, sipas një hadithi të vërtetë. Sipas një hadithi tjetër, Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, ka thënë: “Unë distancohem nga ato që klithin dhe bërtasin me zë të lartë.” (Buhariu, Muslimi, Ahmedi). Megjithatë, qarja e thjeshtë nuk është problem. Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, kur i vdiq djali i tij Ibrahimi, ka thënë: “Syri qan dhe zemra është e trishtuar, por themi vetëm fjalë që e kënaqin Allahun. Ndarja jote po na prek thellë, o Ibrahim!” (Buhariu).

Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, ka qarë edhe kur vdiq Umame, e bija e vajzës së tij, Zejnebes. Të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Si po qan ti, kur ke ndaluar të qahet?” Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, iu përgjigj: “Është ndjenja e mëshirës që Allahu i Madhëruar e ka futur në zemrat e njerëzve, dhe Allahu mëshiron prej robërve të Vet ata që janë të mëshirshëm.” (Muslimi, Ahmedi).

/Ebu Bekër el Xhezairi/