Pyetja:
Nëse Allahu e udhëzon ndonjëri në Islam, atëherë çfarë duhet të thotë ai dhe çfarë duhet t’i thuhet atij?
***
Përgjigjja:
Ai duhet të thotë: “Dëshmoj se nuk ka të adhëruar me të drejtë përveç Allahut, dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij.” (Fjalët duhet thënë në gjuhën arabe dhe duhet ditur kuptimet e fjalisë.)*
Pastaj atë duhet këshilluar që të shoqërohet me njerëz të drejtë. Nga Ebu Musa el Eshari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se i Dërguari i Allahu ﷺ, ka thënë:
“Shembulli i shokut të drejtë dhe shokut të keq, është sikur i shitësit të parfumit dhe farkëtarit. Për sa i përket shitësit të parfumit, ai ose do të të japë parfum, të ta shesë atë, ose së paku do të kesh aromë të këndshme nga ai; për sa i përket farkëtarit, ai ose do t’jua djegë rrobën, ose do të kundërmoni nga ai.” [1]
Më qe treguar një rrëfenjë ndërsa po studioja në Universitetin Islamik (të Medines), se dikush kishte pas hyrë në Islam dhe është zhvendosur nga shtëpia e mosbesimtarëve për të jetuar me muslimanët. Mirëpo, muslimanët me të cilët ai kishte pas ndenjur madje as nuk kishin pas falur namazin, kështu që Islami i tij thjesht po lëvizte nga një shtëpi në tjetrën. Është me rëndësi që ai të përpiqet të jetë në shoqërinë e njerëzve të drejtë, si dhe të mohojë adhurimin e Mesisë [Krishtit]. Po ashtu e këshillojmë që të marrë dituri nga librat si “Libri i Teuhidit”, “Rijadus Salihin”, “Shpjegimi Kuranor i Ibn Kethir”, etj. Njëlloj, e këshillojmë atë që ta mësojë Islamin nga librat Islamik, jo nga veprat e muslimanëve ngaqë veprat e tyre s’janë të mira. Ju mund të gjeni një musliman të gënjen, apo të kurvërojë, apo të pijë alkool, ndërsa e dinë se këto janë të ndaluara. Pastaj mosbesimtarët e përdorin këtë si dëshmi kundra muslimanëve, kështu që u themi atyre: Ne nuk thërrasim në këtë, por ju thërrasim që t’i kapeni fesë së vërtetë: “Vërtet Allahu urdhëron për drejtësi, bamirësi dhe ndihmë të afërmve (farefisit), ndërsa ndalon nga e keqja, e urryera dhe shtypja. Ai ju këshillon, që ju të jeni të kujdesshëm.” (Nahl: 90)
Njëlloj edhe çështja e besueshmërisë dhe ndershmërisë, si dhe të tjera çështje në të cilat muslimanët kanë dështuar dhe të cilat janë në kundërshtim me ligjvënien Islame. Pra, është me rëndësi që të qartësohet kjo në mënyrë që ata (mosbesimtarët) mos t’i përdorin veprat e muslimanëve si dëshmi kundra Islamit, por u themi atyre: Ne s’ju thërrasim të jeni si këta njerëz, e as si ata që janë të prishur, apo vjedhës, apo ata që bëjnë apo shesin alkool, e as që ju thërrasim të bëheni Sufij…
Një herë e një kohë, një vëlla bujar që studion në Britani apo në Gjermani na vizitoi dhe na tregoi se Allahu e kishte pas udhëzuar një grua në Islam, pastaj ajo kishte parë Sufitë të vallëzonin në xhami, kështu që ajo e thirri atë dhe tha: “Unë pashë këtë e këtë në xhami, atëherë nuk paskësh dallim mes kësaj dhe fesë që kam lënë.” Pra, ne nuk ju thërrasim që të bëheni shi’itë, sufij apo diçka të ngjashme, por (ju thërrasim) që të veproni sipas Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij ﷺ, edhe nëse do të të kundërshtonin të gjithë njerëzit.
Shejh Mukbil Ibn Hadi el–Uadi’i, “Tuhfetul Muxhib alaa Esilet el-Hadir uel-Garib”, fq. 65
——————-
[1] Buhariu dhe Muslimi
*përkthyesi