Fatkeqësisht, shumë prej nesh kanë sjellje të mira në rrugë, ndërsa në shtëpitë e tyre kanë sjelljet më të këqija.

Disa prej njerëzve, nëse janë ulur në një mexhlis (thonë për dikë): Ma sha’a Allah! Sa i mirë është fjalimi i tij. Ky burrë kur u flet njerëzve, ua hap zemrat. Ulja me të nuk është aspak e mërzitshme. Ai i bën të qeshin ata që janë ulur me të, i bën ata të ndihen mirë. Ka sjellje të mirë, nëse dikush gabon, ai i thotë: ”Allahu të shpërbleftë dhe Allahu më faltë mua dhe ty.”

Por kur ai hyn në shtëpinë e tij, gjendja e tij ndryshon tërësisht. Ai bëhet ’’luan’’, zemërohet shpejt, zemërohet për çdo gjë, ai e ndëshkon (familjen e tij) dhe i qorton ata për çdo gjë. Ai rri i heshtur në shtëpi, ai pothuajse nuk flet kurrë. Kjo sjellje nuk është prej shoqërimit dhe marrëdhënieve të mira shoqërore.

Është obligim për babain që kur të hyjë në shtëpi të mbledhë familjen e tij, të bisedojë me ta, të sillet mirë me ta, po ashtu t’i pyesë për punët e tyre dhe t’i mbushë zemrat e tyre me dashuri e ngrohtësi sepse zemrat kërkojnë dashuri e ngrohtësi. Ndryshe, nëse zemrat nuk mbushen me dashuri e ngrohtësi nga babai i tyre ato do ta kërkojnë këtë gjë tek dikush tjetër.

Është detyrë për të gjithë ne o vëllezër, t’i kushtojmë vëmendje kësaj çështjeje shumë të rëndësishme dhe këtij virtyti madhështor që ka të bëjë me marrëdhëniet tona në familjet tona duke përdorur moralin dhe sjelljen më të mirë dhe më fisnike ndaj tyre.

 

Shejkh Sulejman er-Ruhejli
Përktheu: Valdet Gashi
https://www.perlatmuslimane.com/