Pyetja:

Kam lexuar dhe dëgjuar se Allahu xh.sh., e ka caktuar fatin, kaderin e gjithçkaje. Atëherë ku qëndron fryti i lutjes sime nëse Allahu e ka shkruar që unë si lutem si jo do mbes fjala vjen mëkatar?

***

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëlla, nuk është puna se vetëm me ateistët ne vetë kemi nevojë ndonjëherë të bëjmë sqarime, sepse një prej çështjeve që më shumë i prek iblisi njerëzit është çështja e kaderit, për këtë arsye njerëzit në çështjen e kaderit kanë vajtur në dy ekstreme: kaderijtë (të cilët kanë mohuar), xhebrijtë (të cilët kanë mohuar) dhe besimi i ehli sunetit si gjithmonë mes dy ekstremeve. E them këtë sepse në çastin që njeriu mëson për kaderin, sidomos kur është fillestar në fe, e ngacmon shumë shejtani për këtë arsye është mirë që kjo çështje të kuptohet mirë, drejt, thjesht, me logjikë te pastër.

Pasi i mbështetem Allahut të them se çështjet e kaderit pa dije janë tema të rrezikshme që mund të ndikojnë në njeriun që dhe të dalë prej feje, për këtë arsye çdo besimdrejtë e ka për obligim nëse has në gjëra që nuk gjen se kush mund t’ia shpjegojë të ecë me origjinën që është “dëgjuam dhe u bindëm”,  siç dua të them se padija në këtë pikë duhet ta çojë besimtarin në hadithin: “Nëse flitet për kaderin heshtni“. Gjithmonë bëhet fjalë për padije.

Kaderi përfshin në vetvete parashikim me parapërcaktim dhe ky është dhe thelbi i kësaj çështjeje.

Përpara se të flitet për kaderin, duhet të kthehemi edhe njëherë te teuhidi (monoteizmi) në disa nëndetaje të tij.

Ne besojmë se ZOTI ynë është El Alim dhe El Al-lam – I Mirëdituri  dhe i Gjithëdituri, Ai që di gjithçka dhe se dija e Tij është absolute aq sa mendja se percepton. Une do të paraqes një shembull afrues:

Di të kaluarën, të tashmen, të ardhmen, siç ishte, siç është, si do të jetë, madje aq absolute saqë Ai di atë që nuk ishte, atë që nuk është, atë qe nuk do të jetë, sikur të ishin si do të ishin, sepse kjo do të thotë dije absolute, saqë  e ka ditur dhe me detaje se kush do të krijohet dhe kur, si do të jetë furnizimi dhe fati i tij në jetë, qëndrimi në raport me thirrjen e profetëve, pra a do të besojë apo jo dhe përfundimin e tij se ku do të jetë. E KA DITUR, në rregull (A KEMI DERI KËTU TË BËJMË ME PADREJTËSI?)

Së dyti, këtë dije të Tijën e ka shkruar në një vend të ruajtur mirë: Leuhi mahfudh dhe pjesë të saj janë shkruar në kohë dhe vende të ndryshme me mundësinë e abrogimit në raste të parashikuara që të jenë si përfundim e njëjte me origjinalin, pra Leuh mahfudh; pra çfarë e ka ditur e ka shkruar. E KA SHKRUAR, në rregull (A KEMI DERI KËTU TË BËJMË ME PADREJTËSI?!)

Së treti, çfarë e ka ditur dhe e di ka dëshiruar të ndodhë, ashtu siç e dinte dhe pati shkruar. E KA DËSHIRUAR TE NDODHE KONFORM DIJES DHE SHKRIMIT, në rregull (A KEMI DERI KËTU TË BËJMË ME PADREJTËSI?!)

Se katërti,  kur vjen çasti i zbatimit Ai krijon te njeriu bërjen e asaj që ishte e ditur, e shkruar, e dëshiruar.E KA KRIJUAR TE VEPRUESI ATË QË AI MË PARË NË PËRJETSHMËRI E KA DITUR, SHKRUAR, DËSHIRUAR, në rregull (A KEMI DERI KËTU TË BËJMË ME PADREJTËSI?!)

Mos harro se ne nuk e dimë se çfarë ka shkruar Allahu për ne, për këtë arsye ne jemi në këtë botë për t’u provuar, e si pasojë për t’u ndëshkuar ose shpërblyer për atë që ne zgjedhim me dëshirën tonë, sepse përndryshe do të ishte jashtë funksioni emri i bukur i Allahut i Drejti e do ishte Allahu i padrejtë. Pastaj ç’kuptim do të kishin shpërblimi dhe dënimi nëse njeriu do të ishte i detyruar, pastaj jeta jonë a nuk është argument i mjaftueshëm? Çdo njeri e ndjen veten i lirë dhe komod kur ndërmerr për të bërë të mirën ose të keqen.

Një ditë i Dërguari i Allahut, ﷺ, i drejtohet shokëve të tij duke thënë: ”Gjithsecilit prej jush i është përcaktuar vendi i tij në xhenet ose në xhehenem.” Çohet njeri prej shokëve të tij dhe i thotë: “O i Dërguar i Allahut, ﷺ, atëherë përse njerëzit lodhen dhe punojnë, a të lemë pra punën meqë çdo gjë qenka e përfunduar?!” Përgjigja ishte: “Jo, ju punoni se gjithsecilit do t’i lehtësohet çështja, puna për atë vend për të cilën ai është krijuar. A nuk keni lexuar thënien e Allahut në suren El Lejl: “Ndërsa ai i cili do të shpenzojë dhe do të jetë i devotshëm Ne do ta lehtësomë atë për më të lehtën dhe më të mirën e, ndërsa ai që tregohet dorështrënguar e tregohet i panevojshëm për udhëzim Ne do ta lehtësojmë atë për më të vështirën dhe më të keqen.”
Ndërsa në suren Kehf thotë bukur: “Ti thuaje të vërtetën që të është shpallur nga Zoti yt (o Muhamed) kush të dojë të besojë e kush të dojë të mohojë.”
Ajetet dhe hadithet profetike janë aq të shumta që e inspirojnë këtë të vërtetë, saqë nuk mund t’i sjellim të gjitha këtu.

Përfundim
Ne nuk e dimë se ç’është parashikuar dhe parapërcaktuar për ne, për këtë arsye jemi të obliguar të bëjmë shkaqet për të bërë më të mirën, të zgjedhim më të mirën, të lutemi, të falemi, të bëjmë dua që të meritojmë mëshirën, mirësinë dhe faljen e të Madhit Allah, i qofshim falë e kurban vetëm Atij.

Allahu e di më së miri. Lus Allahun të kesh marrë atë që të nevojitet.

Imam dr. Ahmed Kalaja