Pyetja:

Emri Xhelil a është emër i Allahut dhe a lejohet t’i emërtojmë fëmijët me këtë emër?

***

Përgjigjja:

Emri Xhelil bën pjesë në mesin e 99 emrave të bukur të Allahut, sipas mendimit të shumë ulemave.

EL-XHELIL – do të thotë Fisniku, Madhështori dhe i Përsosuri në cilësitë e Tij. Emrat e bukur të Allahut ndahen në dy grupe:

1. Emra të cilët janë të posaçëm dhe nuk i takojnë askujt pos Allahut xh.sh..  Ibën Kajjim el-Xhevzije thotë: “Emrat e posaçëm të Allahut janë:

– ALLAH: Është emri më i madh i Krijuesit, që dëfton për Qenien Absolute, emër me të cilin përfshihen të gjitha cilësitë dhe atributet e tjera hyjnore;

– ERR-RRAHMAN: I Gjithëmëshirshmi;

– EL-HAKEM: Gjykuesi;

– EL-EHAD: Është Një, i Vetëm;

– ES-SAMED: Çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë;

– EL-HALIK: Krijuesi;

– ERR-RREZAK: Furnizuesi;

– EL-XHEBBAR: I Gjithëfuqishmi;

– EL-MUTEKEBBIR: I Madhërishmi;

-EL-EVVELU: I Pari;

-EL-AHIRU: I Fundit;

-EL-BATINU: I Padukshmi; dhe

-AL-LAM EL-GUJUBI: Ai që di të fshehtën.” [1]

Emrave të posaçëm vetëm për Allahun xh.sh., në rastet kur dëshirojmë ta emërtojmë fëmijën me ta, atëherë këtyre emrave patjetër duhet t’i paraprijë fjala ”ABD“, që do të thotë “ROB“, si: ABDULLAH, ABDURRAHMAN ABDUL-EHAD, etj. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Emrat tuaj më të dashur për Allahun janë: Abdullah dhe Abdurrahman.” [2]

2. Emra me të cilët përveç Allahut kanë të drejtë të emërtohen edhe krijesat e Tij, si: RRAHIM, LATIF, SELAM, etj. Emri XHELIL bën pjesë në këtë grup emrash. Që të lejohet të emërtohen krijesat me këtë emër është kusht që të hiqet LAMI shques EL, pra nuk lejohet ta emërtojmë fëmijën me: EL-LATIF apo EL-XHELIL, por vetëm LATIF apo XHELIL. Edhe pse edhe këtyre emrave është më mirë t’u paraprijë fjala ’ABD‘,  pra emri të jetë: Abdul-xhelil, Abdul-latif, etj.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————

[1] Tuhvetu el-Mevludi, fq. 980.

[2] Muslimi, nr. (2132) 2.