Pyetja:

Nëse motra nuk shkon tek vëllai, a ka të drejtë të kërkojë hise ajo sipas fesë?

***

Përgjigjja:

Çështja e mbajtjes së lidhjeve familjare nuk ka kurrfarë lidhjeje me të drejtën në trashëgimi, ngase mbajtja e lidhjeve familjare është çështje më vete, ndërsa e drejta e trashëgimisë është çështje më vete.

Çdo musliman, mashkull qoftë apo femër, obligohet t’i mbajë lidhjet familjare, ngase ndërprerja e lidhjeve familjare është prej mëkateve të mëdha. Allahu xh.sh. në shumë ajete kur’anore urdhëron për forcimin e lidhjeve familjare, si për shembull:

A pritet prej jush (hipokritëve) që nëse merrni sundimin (ose zmbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpritni lidhjet e akraballëkut (lidhjet farefisnore)? Të tillët janë që Allahu i mallkoi, i bëri të shurdhët dhe ua verboi të shikuarit e tyre.” (Muhamed: 2223)

E ata që e thyejnë besën e dhënë Allahut pasi u patën zotuar, e këpusin (lidhjet e akraballëkut-farefisit) atë për të cilën Allahu ka urdhëruar të jetë e pakëputur, bëjnë shkatërrime në tokë, ata janë të mallkuar dhe ata kanë përfundim të keq.”
(Rr’ad: 25)

O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre të dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kini frikë Allahun, që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa: 1)

Dhe jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfrit, edhe atij në kurbet, po mos shpenzo tepër e pa rrugë.” (Isra: 26)

Ndërsa e drejta në trashëgimi është e drejtë e pacenueshme, të cilën Islami ia garanton si mashkullit ashtu edhe femrës, ngase ndarja e trashëgimisë nuk varet nga vullneti apo dëshira e dikujt, por është e drejtë që Allahu i Madhërishëm e ka përcaktuar në librin e Tij të shenjtë, ku i Lartësuari thotë:

Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: Për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre ju takojnë dy të tretat e pasurisë që trashëgohet; nëse është një femër, asaj i takon gjysma; për prindërit, për secilin nga ata, ju takon e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri) nëse ka fëmijë; e në qoftë se (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë (vetëm) prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta; në qoftë se ai (i vdekuri) ka vëllezër, nënës së tij i takon vetëm një e gjashta, (kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pasi të kryhet testamenti (vasijeti) që ka lënë dhe pasi të lahet borxhi. Ju nuk dini se kush është më afër dobisë suaj, prindërit tuaj ose fëmijët tuaj. (Ky përcaktim është) Urdhër nga Allahu. Vërtet Allahu është më i Dijshmi, më i Urti.” (Nisa: 11)

Kërkojnë përgjigjen tënde. Thuaju: Allahu ju përgjigjet në çështjen e “kelale-s” (ai që nuk ka prindër as fëmijë që e trashëgojnë). Nëse vdes një njeri që nuk ka fëmijë, por ka motër, atëherë asaj (motrës) i takon gjysma e pasurisë së lënë. Ai (vëllai) trashëgon tërë atë (që lë motra) nëse ajo nuk ka fëmijë. Në qoftë se ato janë dy (motra që trashëgojnë), atyre të dyjave u takojnë dy të tretat që lë ai. Në qoftë se janë vëllezër dhe të përzier burra dhe gra, atëherë mashkullit i takon hise dyfish më shumë sesa femrës. Allahu ua sqaron, ashtu që të mos humbni. Allahu di për çdo send.” (Nisa: 176)

Privimi i femrës nga e drejta e saj që i jep i madhi Allah xh.sh. në trashëgimi konsiderohet prej mëkateve të mëdha dhe prej veprave të injorancës paraislame.

Po ashtu kërcënimi i motrës me ndërprerjen e lidhjeve familjare po që se merr hisen e saj që ia jep Kur’ani është vepër e shëmtuar, kurse marrja e hises së femrës me kërcënim, presion e dhunë konsiderohet ngrënie e pasurisë së huaj pa të drejtë, të cilën Islami e ndalon rreptësisht.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi