Pyetja:

Kush do t’i japë fund ekstremizmit të ISIS-it?

***

Përgjigjja:

Një aleancë e re ndërkombëtare po krijohet, me aktorë nga Perëndimi dhe Lindja, nga muslimanë dhe jomuslimanë, për të luftuar ISIS-in, ndërkohë që për Beshar Esedin askush nuk u kujtua këto tre vjet, edhe pse ka vrarë e masakruar shumë herë më tepër se ISIS-i dhe në një farë mënyre, u bë shkak për t’i lënë terren shtrirjeje atij.

Nisur nga historia e afërt e aleancave kundra të ashtuquajturit “terrorizëm islamik”, është parë se të gjitha kanë dështuar në planin afatgjatë për të zhdukur fenomenin, edhe pse kanë korrur suksese të përkohshme ushtarake ndaj tij. Por, pas çdo lufte triumfuese ndaj tyre, ata janë ngritur përsëri, madje më të ashpër, edhe më të shumtë në numër!

Nuk besoj se kjo aleancë do të bëjë diçka ndryshe nga ato para saj, përkundrazi, ajo rrezikon të provokojë daljen në skenë, herët ose vonë, të ndonjë organizimi tjetër, edhe më të egër e më të rrezikshëm se ISIS-i, kjo, sepse në kohën kur duket se ky grupim ka humbur dukshëm legjitimitetin e tij në sytë e muslimanëve, një sulm perëndimor ndaj tij, do t’ia rikthente atij përkrahjen, edhe nga ata që kurrë s’kanë qenë pjesë e tij, për arsyen e vetme se kjo luftë do të shihet si luftë e jomuslimanëve ndaj Islamit dhe muslimanëve, dhe është e vështirë të mos shihet si e tillë, sidomos kur dihet se të tilla luftëra janë selektive dhe bashkë me të thatin djegin edhe të njomin, ndërkohë që s’kujtohen për kriminelë si Esedi.

Padyshim që kjo luftë do t’i shërbejë ISIS-it për të përligjur ideologjinë e tij tekfiriste, për të rekrutuar njerëz të tjerë në radhët e tij, për të shtuar radhët e atyre që solidarizohen dhe e financojnë atë dhe për ta bërë akoma edhe më të dhimbshme dhe më të gjatë këtë luftë, që nuk është çudi të zgjerohet edhe në shtete të tjera të rajonit.

ISIS-i dhe çdo ekstremizëm tjetër duhet përballuar nga vetë muslimanët, së pari me deligjitimimin e tij dhe ideologjisë së tij ekstreme tekfiriste dhe të dhunshme që ai mbart, dhe së dyti, kur është e domosdoshme, edhe me forcën e armëve, por nga vetë muslimanët sunij dhe nga askush tjetër.

Ajo çka është më rëndësishme në këtë betejë me ekstremizmin, është drejtësia, objektiviteti në trajtimin e tij dhe ndjekja e parimeve dhe normave islame në këtë drejtim, për të mos i hyrë askujt në hak dhe për të mos rënë pre e një revanshi zullumqar ndaj këtyre muslimanëve, që me naivitetin dhe padijen e tyre kanë rënë pre e ISIS-it. Shembullin më të mirë në këtë drejtim, kemi atë të kalifit të katërt të muslimanëve, Ali ibn Ebi Talib i cili fillimisht deligjitimoi vetë me argumente fetare, por edhe nëpërmjet Ibn Abasit, ekstremizmin e hauarixhëve, dhe më pas, ata që ngelën dhe vazhduan në kokëfortësinë e tyre, i luftoi me forcën e armëve, derisa e eliminoi për një kohë relativisht të gjatë fitnen e tyre.

Hoxhë Justinian Topulli