Pyetje: Cili është mendimi juaj për ata që i sjellin fëmijët e tyre në xhami për të falur namazin, duke ditur se fëmijët nuk dinë të lexojnë dhe nuk e dinë përmendësh as suren El-Fatiha?

Përgjigje: Nëse është e mundur që fëmija të qëndrojë në shtëpi, kjo është mirë në mënyrë që të mos shqetësojë askënd. Por nëse kjo nuk është e mundur sepse nëna dëshiron të falet me njerëzit, ose të dëgjojë ligjëratë, të përfitojë nga ndonjë fjalim ose të dëgjojë hytben, atëherë nuk ka problem edhe nëse e kanë një fëmijë të vogël vete sepse sipas një hadithi të saktë, i dërguari i Allahut ﷺ ka treguar se ai hynte në namaz me qëllim që ta zgjaste atë por kur dëgjonte të qarat e fëmijës, e shkurtonte atë që të mos e rëndonte nënën e fëmijës.¹

Kjo tregon se sahabët/sahabijet kur faleshin i merrnin fëmijët e vegjël me vete dhe profeti ﷺ nuk i ndaloi ata nga sjellja e fëmijëve të vegjël në xhami. Po ashtu në një hadith autentik kur profeti ﷺ u vonua një natë në faljen e jacisë, Umeri -radijAllahu anhu- tha: “O i dërguari i Allahut, gratë dhe fëmijët janë kotur.”²

Kjo tregon se fëmijët ishin të pranishëm.

Si përfundimi themi: Pjesëmarrja e fëmijëve në xhami me nënat apo me etërit e tyre nuk ka ndonjë pengesë në këtë. Nëse fëmija nuk është ende nga ata që falen dhe nëna e sjell me vete që të ndihet e qetë derisa të falet me xhematin dhe të dëgjojë hytben apo ndonjë fjalim të dobishëm, nuk ka ndonjë pengesë në këtë. Por nëse ka mundësi që dikush të kujdeset për fëmijën në shtëpi në mënyrë që nëna të mos shqetësohet për fëmijën dhe që fëmija të mos shqetësojë të tjerët në xhami, atëherë kjo është më e mira dhe më e preferuara nëse është e mundur, po. Allahu të shpërbleftë me të mira!


¹ Hadithi i plotë: Ebu Katade -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kur ngrihem për t’u falur kam për qëllim ta zgjas namazin por kur dëgjoj të qarët e një fëmije, e shkurtoj namazin sepse nuk dua që t’ia rëndojë gjendjen nënës së tij.”

Transmeton Bukhari (707).

² Abdullah Ibn Abbasi -radijAllahu anhuma- rrëfeu: “Një natë, profeti ﷺ e vonoi namazin e jacisë. Atëherë Umeri doli dhe tha: “Namazi, o i dërguar i Allahut! Gratë dhe fëmijët janë kotur.”

Kështu, profeti ﷺ doli teksa koka i pikonte ujë dhe tha: “Sikur të mos ishte e rëndë për umetin tim, – ose ka thënë: për njerëzit, – do t’i urdhëroja ta falnin jacinë në këtë kohë.”

Transmeton Muslimi (642).

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Burimi: http://www.binbaz.org.sa/mat/16359
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com