Mbajtja e shamisë në shenjë zie për të vdekurin

77. I nderuar hoxhë! A lejohet mbajtja e shamisë në shenjë zie për të vdekurin?

Përgjigjja: Veshja e çfarëdo rrobe me ngjyrë të veçantë -në këtë rast me ngjyrë të zezë- me anë të së cilës shprehet hidhërimi, pikëllimi, vajtimi dhe mbajtja e zisë është e ndaluar ngase është risi, përpos nëse ajo grua edhe më herët ka veshur shami të zezë, respektivisht ka veshur tesha të zeza apo të mbyllëta siç është traditë e disa vendeve islame, ku gratë zakonisht vishen me të zeza. Në këtë rast nuk ka dert që gruaja të mbajë shaminë e zezë sepse ajo nuk po e vesh si veshje të veçantë, por të zakonshme, sikurse ka vepruar çdoherë.

Për fat të keq, te një pjesë e popullit tonë mënyra e shprehjes së mërzisë me rastin e vdekjes së të afërmve bëhet me veshjen e ndonjë veshjeje me ngjyrë të zezë dhe kjo është si pasojë e ndikimit të traditave pagane dhe të krishtera, e më pas edhe atyre komuniste, ngase këto veprime nuk kanë kurrfarë baze në Islam. Në raste fatkeqësish Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] na ka porositur që të themi: ”Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. O Zot, më shpërble mua për këtë të keqe (bela, sprovë, fatkeqësi) që më ka rënë dhe ma zëvendëso me diçka të mirë.”[1]

Nga kjo themi se mbajtja e shamisë së zezë për gruan enkas për rast vdekjeje është risi dhe në kundërshtim me parimet islame, pastaj në një farë mënyre ajo ngjyrë jep të kuptohet se njeriu nuk është i kënaqur me caktimin e Allahut. Dhe së fundi, selefët – të parët tanë nuk e kanë bërë një veprim të tillë asnjëherë.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi, nr. (918) 4.