Pyetja:

Me çfarë etike duhet pajisur agjëruesi?

***

Përgjigjja:

Elementët kryesorë të etikës ose mustehabet e agjërimit janë këto:

Ngritja në syfyr.
I Dërguari i Allahut ﷺ, në një hadith ka thënë: “Ngrihuni në syfyr se në ngritjen dhe në ngrënien në syfyr ka bereqet!” Kurse në një hadith tjetër ka thënë kështu: “Fuqizojeni agjërimin e ditës me ngrënien e syfyrit dhe namazin e natës (tehexhud) me gjumin e drekës!” Ushqimi i syfyrit i jep fuqi njeriut për ta përballuar agjërimin dhe kështu mbajtja e agjërimit bëhet më e lehtë.

Ngrënia e syfyrit vonë, kurse hapja e iftarit menjëherë sapo t’i hyjë koha, domethënë sapo të perëndojë dielli. Në një hadith profetik thuhet: “Për sa kohë që njerëzit të shpejtohen në ngrënien e iftarit dhe ta vonojnë ngrënien e syfyrit, do të jetojnë në mbarësi!” Kurse në një hadith të shenjtë, thuhet: “Më i dashuri i robve të mi është ai që nxitohet shumë për të ngrënë iftar!”
I Dërguari i Allahut ﷺ nuk e falte namazin e mbrëmjes pa prishur iftar. Në fillim e çelte agjërimin me nja dy kokrra hurma ose, në mungesë të tyre, me disa të gllënjka ujë, pastaj falte namaz dhe pas tij bënte hapjen e vërtetë të iftarit. Ky rrëfim që na vjen prej Zejd b. Thabitit mbi çështjen se gjer kur mund të shtyhet iftari, na jep neve një kriter: “Ne po hanim syfyr bashkë me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Pastaj falëm namazin e agimit. Enesi pyeti: “Sa kohë kishte mes syfyrit dhe namazit të agimit?” Sa për të kënduar 50 ajete!”

Kjo kohë ose ky interval e ka vlerën rreth 15-20 minuta. Për këtë, disa japin si shembull suren Hakka, kurse disa të tjerë suren Murselat. Sureja Hakka ka 52 ajete, kurse sureja Murselat, 50 ajete.

Duke u nisur nga ky rrëfim, dijetarët kanë konkluduar se ngrënia e syfyrit duhet lënë afërsisht 15-20 minuta para imsakut.

Duke hapur iftarin, duhet bërë kjo lutje: “Allahumme leke sumtu ue bike amentu ue alejke teuekkeltu ue ala rizkike eftartu!” Kuptimi: “Allahu ynë, vetëm për pëlqimin tënd agjërova, Ty të besova, tek Ti u mbështeta dhe Ty t’u dorëzova! Dhe me atë që më ke dhënë Ti si ushqim, agjërimin çela!”

Hapja ose çelja e iftarit me gjë të ëmbël si hurma ose me ujë.

Një etikë e rëndësishme e agjërimit është, si privimi i stomakut, edhe privimi, domethënë, një lloj agjërimi, i të gjitha ndjenjave dhe mendimeve. Përveç stomakut, njeriu komunikon me botën e jashtme ose merr nga ajo edhe me anë të syve, veshëve, ndjenjave, imagjinatës, mendimit. Duke qenë i agjëruar, njeriu duhet t’i privojë (t’i pengojë) të gjitha këto nga gjërat e kota dhe harame, për t’i shtyrë në detyrën e tyre specifike të lartë si dhe në adhurimin e Zotit. Për shembull, ta mbajë gjuhën larg gënjeshtrës, përfoljes, fjalëve fyerëse dhe të shëmtuara për ta preokupuar me këndim Kurani, me dhikr, tesbih, salavat dhe istigfar.

Pengimi i syve nga shikimi i intimiteteve të huaja për t’ia kushtuar vështrimit të objekteve dhe dukurive nga të cilat nxirret mësim; pengimi i veshëve nga dëgjimi i gjërave të këqija për t’ua kushtuar dëgjimit të fjalëve të vërteta dhe këndimit të Kuranit. Ja, kështu bëhet i mundur agjërimi jo vetëm me stomak, por edhe me organet e shqisave, me ndjenjat dhe mendimet. Vetëm në këtë mënyrë realizohen edhe përkryerja dhe virtyti të pritura nga agjërimi. Në një hadith të tijin, Profeti ﷺ ka thënë kështu: “Kush nuk e lë thënien e gënjeshtrave dhe veprimin me anë të tyre, Zoti nuk i jep vlerë agjërimit të tij (faktit që ai rri pa ngrënë e pa pirë)!” Kurse në një hadith tjetër profetik thuhet kështu: “Pesë gjëra e prishin agjërimin (ia heqin mirësinë dhe vlerën): gënjeshtra, përfolja pas shpine, thashethemet, betimi në gënjeshtër dhe shikimi me epsh!” Siç shihet, në hadithet profetike, për agjërimin e pranuar në lartësinë e Allahut, përqendrohet mbi domosdoshmërinë e “agjërimit” edhe të organeve të shqisave, të ndjenjave dhe mendimeve. Ibni Haxher thotë: “Agjërimi i plotë dhe i përkryer është qëndrimi larg nga të gjitha gjynahet dhe gjërat e ndaluara nga Allahu!”

Në iftar dhe syfyr nuk duhet ngrënë me të tepërt, nuk duhet mbushur stomaku me të rrasur. Edhe kjo është pjesë e etikës së agjërimit. Sepse një ndër synimet e agjërimit është edhe lehtësimi dhe qetësimi i trupit dhe shpirtit, është dhënia mundësi organeve të trupit të pushojnë dhe ripërtërihen. Të rrish pa ngrënë gjer në mbrëmje dhe pastaj, sapo ta dëgjosh ezanin, të ulesh në sofër për të ngrënë me uri dhe dëshirë të madhe duke e mbushur stomakun sa s’ka ku të shkojë më, kjo sjellje bie në kundërshtim me etikën e agjërimit. Madje, është e dëmshme për shëndetin, sepse organet e tretjes rëndohen shumë përballë këtij sulmi dhe kësaj trysnie të ushtruar mbi to. Prandaj në syfyr dhe iftar nuk duhet ngrënë me grykësi dhe pangopësi. Duke ngrënë pak e saktë, duhet vepruar në përshtatje me urtësinë dhe qëllimin e agjërimit!

Në muajin e bekuar të Ramazanit, të gjithë besimtarët duhet të bëjnë më shumë adhurim, duhet ta falënderojnë me gjithë shpirt Allahun për të mirat e pafundme që na ka dhënë, duhet të bëjmë më shumë të mira. Këndimi dhe dëgjimi i Kuranit gjatë këtij muaji ka mirësi dhe shpërblime të mëdha. Prandaj, ata që dinë të këndojnë Kuran, duhet të këndojnë vetë më shumë se zakonisht, të paktën të bëjnë një hatme gjatë muajit të ramazanit. Kurse ata që nuk dinë të këndojnë vetë, duhet të shkojnë nëpër xhami për t’i dëgjuar ajetet e Allahut nga zëri i bukur i hafizëve. Vetëm në këtë mënyrë mund të tregohet për muajin e ramazanit respekti për të cilin ai është i denjë.

Përkthim