Pyetja:
Me çka mund t’ua lehtësojmë varrin, prindërve?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të Dërguarin e Tij, ﷺ.
Ebu Hurejra (kënaqësia e Allahut qoftë mbi të) përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse vdes biri i Ademit i ndërpritet puna e tij përveç tre gjëra: Lëmosha e vazhdueshme, lënia e diturisë prej së cilës kanë dobi, dhe lënia e fëmijës së sinqertë, i cili bënë lutje për prindërit e tij.” [1]
I Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Veprat tuaja të mira u paraqiten të afërmve tuaj të vdekur, nëse janë të mira ata gëzohen me to, por nëse nuk janë të tilla, (të vdekurit) thonë: “Mos lejo të vdesin ata deri të udhëzohen siç na ke udhëzuar neve”. [2]
Çdo vepër e mirë të cilën e kryen fëmija dhe për të cilën prindi është bërë shkak për ta mësuar, me lejen e Allahut në atë vepër do të marr shpërblimi edhe prindi, edhe nëse është prej atyre të cilat kanë vdekur. Për të afërmit në përgjithësi dhe për prindërit në veçanti preferohet të ipet sadaka, të bëhet dua/lutje etj.
Hoxhë Bekir Halimi
——————————–
[1] Muslimi
[2] Ahmedi