Pyetja:

Me kë ndalohet martesa?

***

Përgjigjja:

Allahu i Lartësuar në ajetet 22-23 të kaptinës Nisa na shpjegon me kë e kemi të ndaluar martesën, ku thotë:

Mos u martoni me ato gra me të cilat qenë të martuar prindërit tuaj, me përjashtim të asaj që ka kaluar (para islamit) pse ajo ishte turpëri, përbuzje e traditë e shëmtuar. U janë ndaluar juve (të martoheni me): nënat tuaja, bijat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, bijat e vëllait, bijat e motrës, nënat tuaja që ju kanë dhënë gji, motrat nga gjiri, nënat e grave tuaja (vjehrrat) dhe vajzat që janë nën kujdesin tuaj e të lindura (prej tjetër babai) nga gratë tuaja me të cilat patët kontakt, e nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë), atëherë s’ka pengesë (të martoheni me ato vajza) dhe (janë të ndaluara) gratë e bijve tuaj që janë të lindjes suaj (jo të bijve të adoptuar), dhe të bashkoni (përnjëherë në një nikah) dy motra, përpos asaj që ka kaluar. Vërtet, Allahu fal shumë, është mëshirues i madh.” (Nisa: 2223)

Në këtë ajet kur’anor janë përmendur femrat me të cilat ndalohet martesa për shkak të afërsisë së gjakut, të qumështit, të miqësisë dhe për shkak të bashkimit, apo siç quhen ndryshe ndalesat e përkohshme.

Femrat me të cilat ndalohet martesa për shkak të afërsisë së gjakut janë shtatë:

1. Nëna, këtu përfshihet edhe gjyshja nga ana e nënës dhe nga ana e babait.

2. Vajza, përfshihen edhe vajzat e vajzave, vajzat e djemve, e më poshtë.

3. Motra, motra prej babait dhe motra prej nënës.

4. Halla, përfshin hallën e babait dhe hallën e nënës.

5. Tezja, përfshin tezën e nënës dhe tezën e babait.

6. Vajza e vëllait dhe mbesat e tij.

7. Vajza e motrës dhe mbesat e saj.

Gjithashtu ndalohet martesa për shkak të afërsisë së qumështit me të gjitha ato femra që ndalohet martesa për shkak të afërsisë së gjakut.

Femrat me të cilat ndalohet martesa për shkak të miqësisë janë:

1. Gruaja e babait (njerka);

2. Gruaja e djalit (reja);

3. Nëna e gruas (vjehrra). Në raste të sipërpërmendura ndalesa e martesës vjen në shprehje menjëherë me rastin e lidhjes së kurorës dhe

4. Vajza e gruas (në rast se kryhet marrëdhënia intime me nënën e saj).

Femrat me të cilat ndalohet martesa për shkak të bashkimit janë:

1. Martesa me dy motra në të njëjtën kohë;

2. Bashkimi i gruas me hallën e saj në një kurorë.

3. Bashkimi i gruas me tezen e saj në një kurorë. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet që të bashkohet (në të njëjtën kohë në kurorë) gruaja me hallën e saj, e as me tezen e saj.” [1]

Ajeti i sipërpërmendur pasi na përmend gratë me të cilat ndalohet martesa, në vijim vazhdon dhe thotë:

U janë lejuar, pos këtyre (që u përmendën), të tjerat që t’i merrni me pasurinë tuaj (me nikah) duke pasur për qëllim bashkëshortësi e jo prostitucion…” (Nisa: 24)

Këtu vlen të ceket edhe një fakt. Ndonëse Kur’ani i lejon martesat me femrat e tjera të cilat janë jashtë ajeteve të lartpërmendura, kjo nuk do të thotë që ne duhet të martohemi me to sepse këtu duhet pasur parasysh edhe tradita, urfi, në të cilën janë adaptuar njerëzit dhe kanë punuar me të e vazhdojnë edhe më tej të punojnë. Për shembull, nuk mund të themi se është haram të martohesh me kushërirën tënde nga gjaku, të fisit tënd, apo me kushërirën e nënes sate, respektivisht tezën tënde, por traditat tona, urfi ynë, nuk e lejon një martesë të tillë. Andaj duhen shmangur në maksimum këto martesa dhe duhet respektuar tradita sepse nëse dikush martohet me një të afërme, atëherë mund ta marrim parasysh se çfarë dëmi i madh mund të bëhet, bile dikush ndoshta mund të bëjë edhe kufër duke e akuzuar sheriatin islam. Për këtë arsye tradita, apo siç njihet në shkencën e usuli fikut dhe në fikh urfi, ka një rëndësi të veçantë dhe merret shumë parasysh.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 5109; Muslimi, nr. (1408) 33.