Pyetja:

“Mospërputhja e mendimeve në mes medhhebeve është mëshirë“, a është ky
hadith i vërtetë, apo jo?

***

Përgjigjja:

Ky nuk është hadith, por është transmetuar në një hadith, ku thuhet: “Mospërputhja e mendimeve në umetin tim është mëshirë.” Ky hadith nuk ka sened (zinxhir transmetuesish) deri te Pejgamberi ﷺ dhe e ka përmendur Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, në grupin e haditheve të dobëta dhe të shpifura. Dhe kjo gjë nuk vërtetohet nga i Dërguari i Allahut ﷺ.

Por, mospërputhja e mendimeve, a është mëshirë, apo jo?

Nuk është mëshirë ngase Allahu thotë në Librin e Tij Fisnik: “Po ata nuk do të pushojnë në mospajtimin e tyre. Përveç atij të cilit Zoti yt i ka dhuruar mëshirën e tij dhe, mu për këtë, Ai i krijoi ata” (Hud: 118-119). Kuptimi i ajetit është se ata që Allahu i ka mëshiruar nuk kundërshtohen. I Dërguari i Allahut ﷺ thotë: “Permbajuni asaj që jua kam lënë, se popujt para jush janë shkatërruar për shkak të pyetjeve të shumta dhe kundërshtimeve me pejgamberët e vet.” [1] Transmetohet nga Abdullah ibn Mes’udi, se ai dhe një njeri janë kundërshtuar rreth leximit të një ajeti. Kanë shkuar te dytë tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ai u ka thënë: “Lexoni dhe mos u kundërshtoni ashtu siç janë kundërshtuar popujt para jush, se shkatërroheni ashtu siç janë shkatërruar ata.” [2]

Njashtu ka ardhur hadithi, ku Muhamedi ﷺ ka thënë: “Do i drejtoni safat tuaj ose Allahu do t’jua ndryshojë fytyrat tuaja”; [3] në një transmetim tjetër: “Ose do t’jua ndryshojë Allahu zemrat tuaja”. Transmeton Ebi Tha’lebe el-Hashani, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku thotë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “I ka parë shokët e vet të ndarë dhe të ulur nën hijen e drunjve në një betejë prej betejave, dhe u ka thënë: “Kjo ndarje eshte prej shejtanit.” [4] Pra, kjo ndarje ishte një ndarje e trupave, e si është çështja kur zemrat përçahen! Allahu thotë në Librin e Tij Fisnik: “Kapuni të gjithë për litarin e Allahut dhe mos u përçani” (Ali Imran: 103). Dhe thotë njashtu: “Vërtet, ata që e përçanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe, ti (Muhamed) nuk ke kurrfarë përgjegjësie.” (El-Enam: 159)

Pas gjithë kësaj, le të shikohet realiteti në të cilin gjendemi. Vëllezërit e mi, që ju dua për
hir të Allahut, a është mospërputhja mëshirë apo është shndërruar në betejë? Ai i cili lexon
histori islame, e sheh se çfarë përplasje ka patur në mes Hanbelive dhe Shafive, pastaj
përplasje mes Zejdive dhe të gjitha grupeve të tjera. Por, përplasja mes Shijave dhe Ehli
Sunetit, çdo herë është në vazhdimësi.

E lusim Allahun që t’i bashkojë zemrat e muslimanëve. Amin!

Perktheu: Faruk Sinani

————

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Buhariu

[3] Buhariu

[4] Ahmedi