Pyetja:

Prej cilës moshë duhet të fillojë namazi e agjërimi për vajza dhe për djem?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin, ﷺ.

Çdo person, mashkull apo femër, nuk konsiderohet i ngarkuar me përgjegjësi fetare para moshës madhore. Pejgamberi ka thënë: “Lapsi është ngritur (nuk shënohen vepra) për tri kategori: për fëmijën derisa të hyjë në moshën madhore, për të fjeturin derisa të zgjohet dhe për të sëmurin mental derisa të shërohet.” [1]

Arritja e moshës madhore për të dyja gjinitë mund të kuptohet nëpërmjet tri shenjave:

a) ejakulimi zgjuar apo në ëndërr,

b) dalja e qimeve të vrazhda rreth organeve intime,

c) arritja e moshës 15-vjeçare për të dyja gjinitë.

Kurse dy shenja janë të veçanta vetëm për femra:

a) paraqitja e të përmuajshmeve-menstruacioneve.

b) shtatzënia.

Çdo djali apo vajze që i paraqitet njëra prej këtyre shenjave konsiderohet i/e ngarkuar me përgjegjësi fetare, andaj obligohet me kryerjen e të gjitha obligimeve dhe largimin prej të gjitha ndalesave, në këtë rast obligohet edhe me agjërimin e muajit Ramazan.

Mirëpo prindërit obligohen që në vegjëli t’i ushtrojnë fëmijët e tyre në kryerjen e obligimeve dhe largimin prej ndalesave, me qëllim që kur të arrijnë moshën madhore të mos kenë vështirësi për kryerjen e obligimeve fetare. Pejgamberi  ka thënë: “Urdhëroni fëmijët tuaj me namaz kur janë shtatë vjeç, kurse kur mbushin dhjetë vjeç, nëse ata nuk falen, përdorni ndëshkime dhe ndajini në shtretër të veçantë.” [2]

Transmetohet nga sahabët se kur fëmijët e tyre gjatë agjërimit u kërkonin ushqim, ata i mashtronin me lodra me qëllim që ta plotësonin agjërimin deri në fund të ditës. [3]

Dijetarët kanë thënë se fëmijët edhe pse nuk kanë përgjegjësi, pra nuk janë të obliguar, kujdestarët e tyre kanë përgjegjësi për ta, prandaj nuk u lejohet atyre t’u mundësojnë kryerjen e ndalesave, ngase nëse rriten duke bërë mëkate, atëherë kur të hyjnë në moshën madhore do ta kenë të vështirë largimin nga veprat e këqija.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

———————

[1] Ebu Davudi, nr. 4402; Tirmidhiu, nr. 1423; Ibn Maxhe, nr. 2041; Nesaiu, nr. 3432. Albani ka thënë: “Hadithi është sahih”.

[2] Ebu Davudi, nr. 495. Albani ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”.

[3] Buhariu, nr. 1960; Muslimi, nr. (1136) 136.