Pyetja:

Nëse të ikë namazi i vitrit si duhet të kompenzohet ai?

***

Përgjigjja:

Falenderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nëse njeriut nuk i del gjumi apo harron që ta falë vitrin, ai mund ta kompenzojë atë kur t’i del gjumi apo kur t’i kujtohet që nuk e ka falur. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kujt nuk i del gjumi për namazin e vitrit, apo e harron atë, le ta falë atë kur të zgjohet apo kur t’i kujtohet ai”. [1]

Kështu që nëse njeriut i ikë vitri me arsye, atëherë ka të drejtë që ta kompenzojë atë, ndërsa nëse i ikë vitri pa ndonjë arsye, atëherë nuk ka kompenzim për të. (Sahih Fikhu Suneh 1/394) Sa rekatë duhet të kompenzohet vitri? Nëse njeriu e falë vitrin një rekatë në kohën e tij, e kompenzon atë dy rekatë jashtë kohës së tij. E nëse e falë tri rekatë me një selam në kohën e tij, e kompenzon atë katër rekatë me dy selame (dy nga dy) jashtë kohës së tij, e kështu me radhë.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ nëse flente natën apo ishte i sëmurë, i falte ditën dymbëdhjetë rekatë.” [2]

E pasi që dihet se Pejgamberi ﷺ ka falur namaz nate njëmbëdhjetë rekat, nënkuptohet se ato i ka kompenzuar ditën vetëm se duke i bërë ato çift dhe duke mos i lënë tek.

Andaj, secili në bazë të rekateve që e falë vitrin në kohën e tij, ua shton atyre një rekatë nëse e kompenzon atë pas kohës së tij.

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

————————————————————–

[1] Tirmidhiu, Ebu Davudi, Ibn Maxhe dhe Ahmedi

[2] Muslimi

Comments are closed.