Pyetje: Çfarë ndodh nëse na vjen për të qeshur gjatë namazit?

Përgjigje: Njeriu duhet ta kuptojë se kur është në namaz, ai qëndron përpara Allahut. Çdo mendim apo kujtim që i vjen gjatë faljes duhet ta injorojë dhe të përpiqet të përqendrohet. Nëse ndodhet në një gjendje ku nuk mund ta kontrollojë dot të qeshurën, atëherë është më mirë ta ndërpresë namazin, të shkojë të marrë abdes, të qetësohet dhe të kthehet i përqendruar.

Një namaz i tillë nuk është i vlefshëm tek Allahu i Gjithësisë. Dijetarët hanefi thonë se nëse dikush qesh me zë gjatë namazit, duhet të përsërisë edhe abdesin – dhe kjo nuk është pa arsye, pasi vetëm një abdes i mirë mund ta kthjellojë njeriun. Nëse dikush qesh në namaz, kjo tregon se shejtani po e shqetëson, dhe abdesi është një mjet i fuqishëm për ta larguar atë.

E rëndësishme për t’u ditur: Edhe pse nga ana juridike abdesi nuk prishet, ky lloj namazi duhet ndërprerë. Njeriu duhet të rikthejë vetëdijen, të kujtojë përse po falet, përpara Kujt është dhe të përqendrohet me përulje në adhurim.

Dr. Imam Ahmed Kalaja