Të ulurit me ata që pijnë alkool muslimanë qofshin apo jomuslimanë qofshin është veprim i ndaluar. Allahu i Madhëruar lidhur me ata që ulen me njerëz që shprehin kufër ose gjëra të pavërteta ka thënë: “Mos u ulni me ta derisa ata të ndërrojnë temë!” (Nisa 140)

Imam Taberiu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Në këtë verset ka dëshmi të qartë se është e ndaluar ulja me ithtarët e të pavërtetës të të gjitha kategorive, heretikëve dhe të shthururve gjatë kohës që ata janë duke folur rreth të pavërtetave të tyre!”

Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka transmetuar se Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe ditën e fundit, të mos ulet në sofrën ku shërbehet verë!” (Tirmidhiu 2801) Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë e ka vlerësuar të gradës së mirë.

Autori i Tuhfetul Ah’uedhi ka thënë: “Domethënë, edhe nëse ai vetë nuk pin me ta, sepse prania e tij me ta dëshmon se ai e miraton ligësinë e tyre!”

Kësisoj, nuk i lejohet që të ulet me ta dhe të tregojë mirësjellje edhe pse vetë nuk pin alkool sepse në këtë situatë ai është si një memec që e sheh të keqen dhe nuk flet.

Ndërkohë besimtari e ka për detyrë që kur t’i shohë njerëzit në atë gjendje t’i këshillojë, e nëse ata nuk ia dëgjojnë fjalën, të largohet dhe të ndahet nga ata.

Allahut i lutemi të na ruaj nga ligësitë! Paqja qoftë mbi Profetin tonë Muhamedin!

Përktheu Rexhep Milaqi
https://udhaebesimtareve.com/