Pyetja:

Para kryerjes së nevojës së vogël nga organi më del sperma, e ndonjëherë edhe pas kryerjes. A duhet të marr gusul, sepse më ndodh shpesh?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Lëngu i cili rrjedh nga organi në rastet që po përmendni nuk është e mundur të jetë spermë, pasi daljes së spermës patjetër duhet t`i paraprijë orgazma, e cila zgjat një kohë, pastaj ajo del me vrull dhe pas kësaj njeriu e ndien veten të molisur dhe të lodhur. Nëse te ju ndodhin këto tri gjëra që përmendëm, atëherë ajo është spermë dhe ju duhet të pastroheni (të merrni gusul).

Por në rast se nuk ndodh kështu dhe ju shihni vetëm lëngun, qoftë edhe epsh (por jo orgazmë), atëherë mendojmë se tek ju nuk është duke rrjedhur sperma, por medhiu (sekrecioni që rrjedh gjatë ngacmimit seksual para spermës), e kjo nganjëherë mund të jetë pak më e dendur se ç’është rëndom. Gjithashtu ka mundësi të jetë edhe vediu (sekrecioni i trashë thuajse si sperma, por del në raste të ndryshme, jo gjatë epshit ose orgazmës). Prandaj, nëse dalja e lëngut nuk është me vrull, nuk keni orgazëm dhe nuk ndiheni të molisur, atëherë kjo nuk është spermë dhe për ju nuk është i detyruar gusuli.

Është e mundur të dalë sperma pa orgazëm, në disa raste të jashtëzakonshme, por janë shumë të rralla këto raste dhe te personat që ndodh kjo konsiderohet se kanë çrregullime e sëmundje. Sido që të jetë, edhe nëse juve ju ndodh kjo, pra keni ndonjë çrregullim, atëherë nuk jeni të obliguar për t’u pastruar (gusul), pasi pastrimi është i detyrueshëm vetëm nëse del sperma me vrull, gjatë orgazmës dhe kur pas kësaj njeriu ndihet i molisur.

Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi