Obligimet e femrës gjatë ihramit

113. I nderuar hoxhë! Cilat janë obligimet e femrës gjatë ihramit dhe si duhet të jetë veshja e saj gjatë umres apo haxhit?

Përgjigjja: Çdo musliman dhe muslimane kur dëshiron të kryejë haxhin apo umren kushtëzohet që të hyjë në ihram, që do të thotë të bëjë nijet. Me nijet nënkuptojmë vendosjen me zemër dhe shqiptimin e telbijes:

“Lebbejke All-llahumme lebbejke. Lebbejke la sherike leke lebbejk. Innel hamde ven-ni’mete leke vel mulk, la sherike leke.”

Të përgjigjem o Allahu im, të përgjigjem! Të përgjigjem Ty që nuk ke shok-rival, të përgjigjem! Falënderimi është vetëm për Ty, ndërsa mirësia është vetëm prej Teje. Ty të takon sundimi! Ti nuk ke ortak, rival.

Me rastin e hyrjes në ihram meshkujt obligohen t’i zhveshin të gjitha rrobat nga trupi dhe në vend të rrobave të zakonshme obligohen që ta mbulojnë trupin vetëm me dy çarçafë, që preferohet të jenë me ngjyrë të bardhë. Për femrat nuk ka ndonjë veshje të veçantë, me ndonjë ngjyrë të veçantë, por ato e mbulojnë si zakonisht tërë trupin, përveç fytyrës dhe duarve, ngase kur është gruaja në ihram i ndalohet të mbulojë fytyrën dhe duart.

Ndërsa veprimet e tjera që ndalohen në ihram vlejnë si për meshkujt ashtu edhe për femrat, si p.sh.: parfumimi, marrëdhëniet intime, fejesa, kurorëzimi, gjuetia, shkurtimi i thonjve, heqja apo shkurtimi i qimeve nga koka apo nga pjesë të tjera të trupit, etj.

Allahu e di më së miri!

Dr. Shefqet Krasniqi