Pyetja:
Shohim nganjëherë disa njerëz të pasojnë imamin në namaz dhe të tjerë që bien para tij në sexhde apo në ruku. Shpresojmë të na shpjegoni vendimin e shkuarjes para imamit apo vonimin pas tij.
***
Përgjigjja:
Kur personi falet mbas imamit, mund të zhvillohen katër situata:
1. Bërja më përpara (bërja e një veprimi para imamit)
2. Vonimi
3. Bërja e një veprimi njëkohësisht me imamin
4. Pasimi
1- Bërja më përpara
Kjo i referohet bërjes së një prej pjesëve thelbësore të namazit para imamit, si sexhdeja, ngritja para imamit, rukuja apo ngritja para tij. Kjo është haram, dhe dëshmi për këtë janë fjalët e Pejgamberit ﷺ: “Mos bini në ruku, derisa të bjerë ai (imami), dhe mos bini në sexhde, derisa të bjerë ai”.
Parimi bazë është se fjala “mos” tregon që veprimi është haram. Nëse dikush thotë se ky është gjynah i madh, kjo s’do të ishte larg mendsh, sepse Pejgamberi ﷺ tha:
“A nuk frigohet ai që e çon kokën para imamit se Allahu do t’ia shndërrojë kokën në kokë të gomarit apo t’ia bëjë formën si të gomarit?”
Ky është paralajmërim, dhe paralajmërimi është një nga shenjat se një gjynah është gjynah i madh.
– Vendimi mbi namazin e atij që shkon para imamit
Nëse personi shkon qëllimisht para imamit, duke qenë i vetëdijshëm për vendimin dhe për atë çka po bën, namazi i tij s’është i vlefshëm. Nëse ai është injorant apo harron, atëherë namazi i tij është i vlefshëm, përveç nëse ky arsyetim pushoi së ekzistuari para se imami ta bëjë atë veprim, në të cilin rast ai duhet të kthehet dhe ta përsërisë atë çka ka bërë para imamit, mbas imamit. Nëse ai nuk e bën këtë, duke e ditur vendimin dhe duke qenë i vetëdijshëm për atë që bën, atëherë ky namaz është i pavlefshëm, përndryshe nuk është.
2- Ka dy lloje të vonimit në pasimin e imamit
I. Vonim me arsye
II. Vonimi pa arsye
Lloji i parë është kur ka një arsye apo shkak. Ai duhet të kompensojë atë që s’e ka bërë
nga vonesa, pastaj duhet ta pasojë imamin dhe në këtë s’ka ndonjë problem, edhe nëse
janë një ose dy pjesë thelbësore të namazit. Pra, nëse një person e humb përqendrimin
apo nuk e dëgjon imamin, derisa imami të ketë bërë një ose dy pjesë thelbësore të
namazit para tij, atëherë ai duhet t’i bëjë gjërat në të cilat u vonua dhe pastaj ta pasojë
imamin, përveç nëse imami mbërrin pikën ku ai është (në rekat), në të cilin rast ai s’ka
nevojë të kompensojë pjesët e humbura dhe duhet të qëndrojë me imamin. Atëherë, për
të është i vlefshëm një rekat, i cili u formua nga dy rekate të imamit – rekati në të cilin u
vonua dhe rekati në të cilin imami mbërriti në të njëjtën pikë si ai. Shembull i kësaj është:
Një person falet me imamin dhe imami bie në ruku, çohet nga rukuja, bie në sexhde, ulet, bie në sexhde për një moment dhe çohet, por personi mbas tij nuk e dëgjon altoparlantin, veçse në rekatin e dytë, sepse, për shembull, u ndërpre rryma. Le të supozojmë se kjo ndodh gjatë namazit të xhumasë, kështu që ai dëgjoi imamin të recitonte Fatihanë e pastaj u ndërpre rryma dhe imami plotësoi rekatin e parë, por personi mbeti në këmbë duke menduar se imami hala nuk ka rënë në ruku në rekatin e parë e pastaj e dëgjon atë të thotë: “A të ka mbërri lajmi për tronditjen (dmth., Ditën e Gjykimit)?” (Gashije: 1)
Themi: ti duhet të qëndrosh me imamin, në mënyrë që rekati i dytë i imamit të jetë pjesa
e mbetur e rekatit të parë për ty. Pastaj, kur imami të thotë selamin, ti duhet ta bësh
rekatin e dytë. Dijetarë kanë thënë: “Personi që falet mbas imamit, do të ketë një rekat i cili përbëhet nga dy rekatet e imamit të tij, sepse ai e pasoi imamin pjesërisht në të parin dhe pjesërisht në të dytin”.
Nëse ai e merr vesh se ka mbetur mbrapa para se imami të arrijë pikën e njëjtë me të (në
rekatin e dytë), ai duhet ta kompensojë dhe ta pasojë imamin. Për shembull:
Një person falet me imam dhe imami bie në ruku, por ai nuk e dëgjon se ai ra. Kur imami të thotë “Semi Allahu limen hamideh” (mbasi të çohet nga rukuja) dhe, personi që falet mbas, e dëgjon, ne i themi: bjer në ruku e në sexhde dhe paso imamin, dhe do të kesh zënë rekatin, sepse vonimi këtu ishte për një arsye.
Lloji i dytë është vonimi pa arsye. Të vonosh një pjesë thelbësore të namazit do të thotë
të mbetesh mbrapa në pasimin e imamit dhe ta zësh atë në pjesën thelbësore të radhës së
namazit. Për shembull, imami bie në ruku ndërsa ti hala ke një apo dy ajete nga surja që
po reciton, kështu që ti mbetesh në këmbë për të kryer atë që ke për të recituar, pastaj ti
bie dhe e zë imamin në ruku. Në këtë rast, rekati është i vlefshëm, por veprimi yt
kundërshton sunetin, sepse ajo që është caktuar është që të biesh në ruku atëherë kur imami mbërrin pozitën e rukusë e jo të mbetesh mbrapa, sepse Pejgamberi ﷺ tha: “Kur ai (imami) të bjerë në ruku, bini dhe ju”.
Mbetja mbrapa në një pjesë thelbësore të namazit do të thotë se imami është një hap para
teje në namaz, dmth ai bie në ruku dhe çohet para teje. Fukahatë (juristët) kanë thënë:
“Nëse mbeteni mbrapa me rukunë, namazi yt është i pavlefshëm, mu sikur të bëje sexhde para imamit. Nëse mbetesh mbrapa në sexhde, sipas asaj çka thonë fukahatë, namazi yt është i vlefshëm, sepse kjo është mbetje mbrapa në një tjetër pjesë thelbësore të namazit pos rukusë”.
Pikëpamja e saktë është se, nëse personi mbetet mbrapa imamit pa arsye në ndonjë pjesë
thelbësore të namazit, atëherë namazi i tij është i pavlefshëm, qoftë në ruku, qoftë në
pjesë tjetër të namazit. Bazuar në këtë, nëse imami çohet nga sexhdeja e parë dhe personi
që po falet pas tij bën dua në sexhde dhe vazhdon të bëjë dua, derisa imami të bjerë në
sexhde për herë të dytë, atëherë namazi i tij është i pavlefshëm, sepse ai mbeti mbrapa në një pjesë thelbësore të namazit. Nëse imami është një hap para tij, si mund ta pasojë ai?
3- Të bërit e një veprimi njëkohësisht me imamin
Kjo i referohet qoftë fjalës, qoftë veprimeve, dhe kjo ndahet në dy kategori:
E para është të thuhen fjalët njëkohësisht. Kjo nuk prish punë, përveç në rastin e tekbirit
të parë (kur thuhet “Allahu ekber” për të nisur namazin) dhe selamit (në fund të namazit).
Sa i përket tekbirit të parë, nëse e thua tekbirin para se imami të përfundojë tekbirin hyrës të tij, ti as që ke hyrë në namaz, sepse është thelbësore që tekbiri hyrës të thuhet mbasi imami të ketë përfunduar thënien e tij (të tekbirit) krejtësisht.
Sa i përket selamit, dijetarët thonë që është e urryer të thuhet selami i parë dhe i fundit
njëkohësisht me imamin. Por, nëse e thua mbasi që ai të ketë thënë selamin e parë dhe e thua selamin e dytë mbasi ai të ketë thënë selamin e dytë, nuk ka kurrgjë të keqe në këtë,
por është më mirë të mos thuhet selami, derisa imami t’i ketë thënë të dyja.
Sa i përket krejt fjalëve tjera të namazit, s’ka gajle nëse i thua njëkohësisht me imamin, para apo mbas tij. Nëse supozojmë se ti e dëgjon imamin të thotë teshehudin dhe ju tashmë e keni kryer atë, kjo s’prish punë, sepse shkuarja para imamit në fjalët e namazit, përveç tekbirit të parë dhe selamit, nuk ndikon në namazin. Ngjashëm, nuk prish punë nëse e thua Fatihanë para tij dhe të thuash “Ue led-dal-lin” ndërsa ai hala po këndon “Ijjeke na’budu ue ijjeke nesta’in” në namazin e drekës, për shembull, sepse është caktuar që në drekë dhe në ikindi imami t’ua mundësojë nganjëherë njerëzve të dëgjojnë ajetet që po lexon, siç vepronte i Dërguari i Allahut ﷺ.
Kategoria e dytë është të bësh veprimet njëkohësisht me imamin, dhe kjo është e urryer
(mekruh).
Për shembull, kur imami thotë “Allahu ekber” për ruku dhe nis të përkulet, ti përkulesh
njëkohësisht me imamin. Kjo është e urryer, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kur ai të bie në ruku, bini dhe ju. Dhe mos bini në ruku, derisa ai të bjerë në ruku”.
Dhe në sexhde, kur të thotë tekbirin për sexhde, nëse ti bën sexhde dhe e mbërrin
dyshemenë njëkohësisht me të, kjo është e urryer, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e lejoi këtë dhe tha: “Mos bini në sexhde, derisa të bjerë ai”.
4- Pasimi
Pasimi është Sunet. Kjo do të thotë se personi e nis veprimin menjëherë mbasi që imami
ta nisë atë, por jo duke e bërë atë njëkohësisht. Për shembull, kur imami bie në sexhde, bjer edhe ti, edhe nëse nuk e kryen thënien që është mustehab (e rekomanduar) dhe edhe nëse ke për të thënë edhe një ajet, sepse kjo do të thoshte se po mbetesh mbrapa; pra, nuk e përfundon atë. Në sexhde, kur imami të çohet nga sexhdeja, ti e pason imamin, dhe të pasosh atë është më mirë, sesa t’i bësh dua Allahut, sepse namazi yt është i lidhur me imamin dhe ti je urdhëruar ta pasosh atë.
Shejh Ibn Uthejmin, “Sherh el-Mumti” (4/275)