Dhënia e selamit në anën e majtë në fund të namazit

41. I nderuar hoxhë! A është obligim që selami në fund të namazit të jepet në anën e majtë?

Përgjigjja: Të japësh selam një herë në fund të namazit, pra të thuash: Es-selamu alejkum ve rahmetull-llah është vaxhib, ndërsa dhënia e selamit dy herë është sunet. Ibn el-Mundhiri ka thënë: “Të gjithë dijetarët kanë rënë në ujdi se nëse njeriu mjaftohet me një selam, namazi është i plotë”.

Vlen të ceket se lëvizja e kokës nga ana e djathtë me rastin e shqiptimit të selamit si dhe lëvizja e kokës nga ana e majtë duke e shqiptuar selamin është sunet, pra kthimi i kokës në të dyja anët me rastin e dhënies së selamit nuk është vaxhib, por është sunet. Për këtë arsye, ka prej dijetarëve islamë të cilët thonë se me rastin e dhënies së selamit së pari shqiptohet selami e pastaj bëhet lëvizja e kokës, pra së pari themi: Es-selamu alejkum ve rahmetull-llah dhe pastaj e lëvizim kokën.

Nëse e shqipton shprehjen e selamit pa e kthyer kokën djathtas apo majtas ke lënë vetëm një sunet, ndërsa vaxhibin e ke kryer dhe namazi konsiderohet i përfunduar.

Nëse pas selamit të parë e prish abdestin, nuk ka problem dhe namazi është i plotë sepse selami i dytë është vetëm sunet. Mirëpo duhet ditur se moskryerja e ndonjë suneti të namazit dhe lënia e tij me qëllim është prej veprave të urryera dhe të papëlqyera, prandaj nuk i ka hije një muslimani që me qëllim të lërë veprimet dhe punët që konsiderohen sunet i Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem].

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi