Pyetja:

A është mëkat t’ua prishim merimangave rrjetat në dhomë p.sh: zakonisht për pastërti nëse ka rrjet merimange në kënd të dhomës e prishim?

***

Përgjigjja:

Është e vërtetë se në vendet tona shpesh parashtrohet kjo pyetje, dhe si duket është një bindje se nuk bën, apo se të ndodh diçka nëse i eliminon rrjetat e merimangave në kohë të caktuara gjatë ditës, apo në ditë të caktuara gjatë javës. Këto bindje janë të gabuara, janë besëtytni dhe muslimani nuk guxon të ketë bindje të këtilla.

Merimanga është një gjallesë e cila shkakton dëme, ndoshta jo të nivelit të lartë, megjithatë janë të padëshiruara për njeriun. Merimanga bën rrjete, lëshohet nga lartë dhe në përgjithësi është simbol i pa pastërtisë. Në një shtëpi ku ka merimanga dhe rrjete merimangash, aty nuk ka pastërti dhe njerëzit në atë shtëpi nuk i kushtojnë kujdes pastërtisë. Së këtejmi, rrjetet e merimangave duhet të eliminohen, dhe merimangat të thithen me fshesë dhe të gjuhen jashtë shtëpisë. Largimi i merimangave është edhe pastërti. Allahu i Madhërishëm në Kuran ka thënë:

Allahu i donë ata që pendohen dhe i donë ata që pastrohen.”

Poashtu, edhe në një hadith autentik qëndron se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Pastërtia është gjysma e besimit…” [1]

Poashtu, ka merimanga që janë infektuese e disa bile edhe helmuese. Së këtejmi, nuk duhet të lehen që të bëjnë vend nëpër shtëpi ngase mund edhe të të dëmtojnë në shëndet. Dijetarët përmendin se në këtë rast, merimanga bashkohet në dispozitë me disa lloje gjallesash të dëmshme të cilat i ka përmendur i Dërguari i Allahut ﷺ në një hadith të tij se vriten bile edhe nëse gjinden brenda kufijve të vendit të shenjtë. Kjo, megjithëse duhet të kihet parasysh se dëmi i merimangës nuk arrin në shkallën e dëmit të këtyre gjallesave.

Normalisht, më mirë është që mos vriten, por të fshihen me fshisë, ose të merren me thithëse pluhuri dhe të gjuhen jashtë shtëpisë. Nëse gjatë fshirjes dhe eliminimit të rrjeteve ndodh që ndonjë merimangë ta mbytesh, inshallah nuk ke mëkat ngase je munduar që ta largosh dëmin që shkakton për pastërtinë e shtëpisë.

Me këtë rast, nuk duhet të ketë rezerva, bile edhe frikë, nga eliminimi i rrjeteve të merimangave në shtëpi me pretekst se merimanga ka bërë rrjet para hyrjes së shpellës ku ka qenë i fshehur i Dërguari i Allahut ﷺ me rastin e Hixhretit. Kjo, ngase edhe nëse është i saktë qind për qind ky lajm, kjo nuk e ndalon eliminimin e merimangave nga shtëpia. Në rastin e Hixhretit, kjo ka ndodh me urdhrin e Allahut të Madhërishëm, por kjo nuk i jep imunitet të veçantë rrjetit të merimangës dhe nuk e mbron nga prishja. Për atë, nuk duhet të ketë rezerva në fshirjen e rrjeteve të merimangës nga ky aspekt, pra duke menduar se ka bërë rrjet para shpellës ku është fshehur i Dërguari i Allahut ﷺ me Ebu Bekrin r.a. gjatë hixhretit, për këtë edhe nuk duhet të fshihen. Kjo nuk është e saktë dhe nuk e ndalon fshirjen e tyre. Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

——————————-

[1] Muslimi