Pyetja:
Pejgamberi ﷺ a i ka falur namazet sunet gjatë udhëtimit apo i ka lënë?
***
Përgjigjja:
Pejgamberi ﷺ kur ka qenë në udhëtim, nuk i ka falur namazet sunete, por ka shkuar direkt në namazet farze, edhe atë i ka falur të shkurtuara.
Mirëpo, duhet ditur se nga kjo rregull kanë bërë përjashtim dy namaze jofarze, të cilat janë:
1. Suneti i sabahut
2. Namazi i vitrit
Muhamedi ﷺ edhe pse nuk i ka falur sunetet e namazeve të tjera në udhëtim, ka bërë përjashtim kur ka qenë në pyetje suneti i sabahut. Për argument kemi një transmetim ku tregohet se si në një rast të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe shokët e tij të cilët kishin qenë në udhëtim në një luftë, i kishte zënë gjumi në namazin e sabahut. Kur ishte zgjuar nga gjumi, dielli veçse kishte lindur. I Dërguari i Allahut ﷺ i zgjoi shokët e vet dhe i urdhëroi që ta ndërrojnë atë vend ku i kishte zënë gjumi për namazin e sabahut, të shkojnë pak më larg dhe atje e ka falur namazin e sabahut, duke filluar së pari me sunetin e pastaj me farzin.
Pra, i Dërguari i Allahut ﷺ edhe kur ka qenë në udhëtim nuk e ka lënë sunetin e sabahut, duke marrë parasyshë vlerën e veçantë që ka suneti i sabahut.
Poashtu, i Dërguari i Allahut ﷺ kur ka qenë në udhëtim nuk e ka lënë pa falur edhe namazin e vitrit të jacisë. Ky namaz sipas disa dijetarëve është vaxhib e sipas disa të tjerëve është sunet muekkede (sunet i fortë). Sidoqoftë, i Dërguari i Allahut ﷺ gjithmonë e falte namazin e vitrit, qoftë edhe në udhëtim. Allahu e di më së miri.