Pyetja:

A duhet mëkatari të pendohet menjëherë pas mëkatit? Apo është e lejuar që ai të shtyhet? Shumë nga mëkatarët thonë: Ne e dimë se duhet të pendohemi, por ata e shtyjnë pendimin e tyre deri sa të ngopen me mëkate! Dhe për sa kohë që pendimi është i detyrueshëm për shkak të mëkateve, atëherë përse të nxitojmë me të – thonë ata – le ta shtyjmë atë dhe të marrin shanset tona me mëkate …! Cili është qëndrimi i fesë në lidhje me këtë?

***

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, falënderimi qoftë për Allahun, bekimet dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut ﷺ. Pastaj:

Nëse pendimi është obligim për të gjithë besimtarët, atëherë edhe kryerja e tij e menjëhershme është përsëri obligim tjetër, andaj nuk lejohet vonimi ose zvarritja e tij, sepse kjo përmban rrezik për zemrën e njeriut fetar, se nëse nuk nxiton së pari me pastrim, ekziston frika që të shtresohen efektet e mëkateve, njëri pas tjetrit, derisa të formohet një njollë e zezë, apo një shenjë në zemër. Siç thuhet në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në të cilin thotë se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Vërtet kur robi e bën një mëkat, në zemrën e tij shënohet një pikë (njollë), e nëse ai tërhiqet dhe kërkon falje, ajo (njollë) do t’i hiqet, ndërsa nëse i kthehet përsëri (mëkatit), ajo (njollë) do të rritet derisa ta mbulojë (tërë) zemrën e tij. Kjo është ajo ‘njollë’ të cilën e ka përmendur Allahu i Madhërishëm në Kur’an: E,nuk është ashtu! Por, veprat e tyre (të këqija) i kanë ndryshkur zemrat e tyre (i kanë nxirë).“(Mutaffifin, 14) [1]

Ibni Kajjimi thotë: “Nxitimi për tu penduar nga mëkati është detyrim që duhet të bëhet menjëherë, dhe nuk lejohet vonimi i tij, sepse nëse vonohet pendimi, atëherë shkaktohet edhe një mëkat, ai i vonimit të pendimit. Atëherë, edhe nëse pendohet nga mëkati, atij i mbetët edhe një pendim, e ai është pendimi për vonimin e pendimit! Dhe rrallë herë ndodh që kjo t’i shkojë ndër mend penduesit, ndaj ai mendon se nëse pendohet nga mëkati nuk i mbetët tjetër asgjë, ndërkaq në fakt, atij i ka mbetur edhe pendimi për vonesën e pendimit…”

Gjëja më e rrezikshme për personin që ka ra në mëkat është: zvarritja duke thënë: ‘do të kthehem’, ‘do të pendohem’, e në fakt nuk bën asgjë. Andaj është thënë: shprehja “do të” (sevfe) është një ushtar nga ushtria e djallit! Gjithashtu është thënë se: Shumica e banorëve të zjarrit (xhehenemit) janë ata që rregullisht kanë thënë ‘do të’. Allahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, as pasuria juaj e as fëmijët tuaj të mos u shmangin prej adhurimit të Allahut, e kush bën ashtu të tillët janë mu ata të humburit. Dhe jepni nga ajo që Ne u kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja, e atëherë të thotë: “O Zoti im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve!” (Munafikun, 9-11)

Ndër virtytet e nxitimit për pendim është se: ai i ndihmon besimtarit për çrrënjosjen e mëkatit para se ai të zmadhohet dhe para se të shtie rrënjë në zemrën e tij, se pastaj përhapen degët e tij edhe në vepra, e kështu për çdo ditë shtohet kapja pas rrënjëve të tij dhe shpërndarja nëpër degë.

Shembulli i personit që vetëm thotë ‘do të’ është sikurse shembulli i një njeriu i cili dëshiron ta shkulë një pemë, dhe vëren që ajo është e fortë, dhe mund të shkulët vetëm me një seriozitet dhe me mund të madh, pastaj thotë: “Do ta shtyj këtë punë për një vit, pastaj do të kthehem për ta shkulur, dhe kjo është një budallallëk dhe një marrëzi e tij, sepse ai e di se pema sa më shumë që të mbetët i rritën rrënjët, ndërsa nga ana tjetër, ai sa më i vjetër që bëhet, i shtohet dobësia e tij! Nuk ka në këtë botë budallallëk më të madh se budallallëku i tij, kur ai dështoi – përkundër fuqisë së tij – dhe rezistencës së dobët, e si mund të pritet që ta mbizotërojë atë, kur ai vetë do të dobësohet, ndërsa i dobëti do të forcohet?!

Shpesh herë ndodh që personat që thonë ‘do të’ e bëjnë këtë deri sa vjen koha kur u refuzohet pendimi, kur atë nuk e pranon Allahu i Madhërishëm, dhe kjo është koha kur njeriu e humb kontrollin, dhe pendimi i tij është pendim i detyruar, sikurse pendimi i Faraonit, kur filloi të përmbytet, atëherë ai tha: ”Besova se nuk ka Zot tjetër pos Atij që i besuan Beni israilët, edhe unë jam nga muslimanët!” Atëherë përgjigja e Allahut ishte: “Ti tani beson, ndërsa ma parë kundërshtove dhe ishe njëri prej shkatërruesve!“ (Junus, 91).

Nëse besimtarit i vjen koha e caktuar e vdekjes dhe agonia e saj, atëherë pendimi nuk i bën dobi, siç thotë Allahu i Plotfuqishëm: “Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe prej padijenisë, e shpejt pendohen; e këtyre Allahu ua pranon pendimin. Se, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Nuk pranohet pendimi i atyre, që vazhdimisht bëjnë të këqija për derisa t’u arrijë vdekja; e atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. As për ata që vdesin duke qenë mohues, për këta, Na kemi përgatitur dënim të dhembshëm.” (Nisa, 17-18)

Allahu e di më së miri.

Përkthim nga gjuha arabe: Miftar AJDINI

Burimi

——————————————-

[1] Transmeton Tirmidhiu, 3331 dhe thotë hasen sahih; po ashtu En-Nesaiju; Ibni Maxhe, 4244; Ibnu Hibban në Sahihun e tij me kushtin e Muslimit dhe i përkrahur nga Edh-Dhehebiu 517/2