Pyetja:

Pse Allahu nuk i shfaqet mbarë njerëzimit, në mënyrë që të gjithë të besojnë?

***

Përgjigjja:

Allahu, i Larti dhe i Madhëruari, e bëri të atillë jetën e kësaj bote për sprovë e provim; Ai ka thënë: “Ai i cili ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush vepron më mirë; – Ai është i Plotfuqishëm dhe Falës.” (Mulk: 2)

Dhe Zoti ashtu vendosi e përcaktoi që askush të mos e shohë Atë, ngase në rast se do mundësohej kjo, pra shikimi i Zotit që në këtë botë, atëherë do të besonin i gjithë njerëzimi mbarë, e kësisoj do të humbte domethënien dhe sensin qëllimi dhe urtësia për çka Zoti i krijoi njerëzit në këtë jetë; Allahu i Lartë na e ka bërë të qartë se assesi nuk do ta shohim Atë në këtë botë, porse për besimtarët do të jetë e mundur ta shohin Zotin e tyre në botën tjetër. Ndaj, kur Musai i kërkoi Zotit të tij që t’ia bënte të mundur ta shihte: “(Zoti) tha:
Ti nuk mund të më shohësh…” (A’raf: 143)

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Të dini se derisa të vdisni askush prej jush nuk do ta shohë Zotin e Tij Krenar e Madhështor!” [1]

Pra i gjithë sensi për këtë është se në këtë botë jemi për sprovë e provim, në mënyrë që disa nga krijesat të besojnë në të padukshmen-të fshehtën, e disa të tjerë të mohojnë; Ngase Zoti na ka obliguar të besojmë në atë që nuk duket- të fshehtën (gajbin), e, që këtu përfshihet edhe besimi në ekzistencën e Tij, -i Lartëmadhëruar qoftë!-, për çka janë gjithë ato argumente e fakte, e madje i gjithë universi dëshmon për ekzistencën e Krijuesit, të Urtit, të Dijshmit, të Atij që ka mundësi të bëj gjithfarë do. Porse, sa i përket botës tjetër, urtësia që përmendëm më parë, nuk do të jetë më, e si rrjedhim, për besimtarët, përkatësisht për ata që në këtë jetë besuan në Zotin, Allahu ka për t’iu dhënë shpërblesë dhe nderim duke ua mundësuar ta shohin Zotin, gjë të cilën nuk ua bënë të mundur jobesimtarëve; Andaj, ka thënë për besimtarët: “Atë ditëdisa fytyra do të shkëlqejnë, në Zotin e tyre do të shikojnë.” (Kijame: 2223)

Kurse për jobesimtarët, ka thënë: “Jo, jo, atë ditë, me të vërtetë, ata do të jenë të penguar që ta shohin Zotin e tyre.” (Mutafifin: 15)

Përktheu: Mirsim Maliqi

Qendra e Islamweb-it për Fetva, nr. 96,228

——————————-

[1] Muslimi (5348)