Pyetja:

A mund të përdorësh barnat pa ujë kur je agjërueshëm?

***

Përgjigjja:

Së pari, duhet të dihet se personi i cili është i detyruar të marrë barna gjatë ditës në Ramazan, dhe këto barna nuk mund t’i reduktojë, gjegjësisht nuk mund t’i marrë në syfyr dhe në iftar, e ka të lejuar që të mos agjërojë, por ditët të cilat i ka lënë pa agjëruar, do t’i kompensojë pas Ramazanit.

Së dyti, marrja e barnave në Ramazan, ka disa forma. Kështu, ka raste kur merret infuzion, i cili është ushqim për trupin. Pjesa dërmuese e dijetarëve janë të mendimit se infuzioni e prish agjërimin.

Ka raste kur merren injeksione. Nëse injeksioni është ushqyes, sipas pjesës më të madhe të dijetarëve, e prish agjërimin, e nëse nuk është ushqyes, por është vetëm për dhimbje, nuk e prish agjërimin.

Injeksioni i këtillë joushqyes nuk e prish agjërimin, për shkak se nuk hyn në trupin e njeriut nga rrugë natyore, si goja, por nga rrugë jo natyrore, gjegjësisht këmba.

Ndërkaq, për sa u përket barnave që merren nga goja, edhe pse janë për dhimbje, e prishin agjërimin, bile edhe nëse merren pa ujë, ngase futen në brendi të trupit përmes një kanali natyror ushqimi, siç është goja. Për atë, nëse merr bar, bile edhe pa ujë, përmes gojës, agjërimi është prishur. Dhe atë ditë duhet ta kompensosh pas Ramazanit.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu