Pyetje:

A lejohet të përdoren ilaçet që përmbajnë alkool dhe drogë?

***

Përgjigje:

Së pari: Nuk lejohet përdorimi i drejtpërdrejtë i pijeve dehëse si bar kurues.
Argument për këtë është thënia e të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Allahu nuk e ka vendosur shërimin tuaj në gjërat që ua ka ndaluar.” (Trasmeton Buhariu) Gjithashtu, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu e ka zbritur sëmundjen dhe për çdo sëmundje ka një kurë, prandaj mjekohuni dhe mos u mjekoni me haram.” (Ebu Daudi, Ibn Es-Suni dhe Ebu Nuejmi). Kur Profeti ﷺ u pyet nga Tarik bin Suvejdi për kurën e cila përzihet me pije alkoolike, ai u përgjigj: “Ajo nuk është shërim, por është sëmundje.” (Ibn Maxheh, Ebu Nuejmi)

Së dyti: Lejohet përdorimi i ilaçeve që kanë në përbërjen e tyre alkool në një rast. Kur ilaçet përmbajnë alkool në përqindje të vogël (që nuk japin efekt dehës), kur kjo është e domosdoshme në prodhimin e kurave të ndryshme dhe në rastet kur nuk ka asnjë alternativë tjetër, por me kusht që ato të rekomandohen nga një mjek i besueshëm dhe i drejtë. Gjithashtu lejohet përdorimi i alkoolit si dezifektant i jashtëm për plagët, si lëng eleminues për mikrobet dhe në kremrat për përdorim të jashtëm.

Së treti: Akademia e Fikhut Islam u sugjeron të gjitha kompanive të prodhimit farmaceutik në botën islame, si dhe importuesit e këtyre medikamenteve, që të japin maksimumin e mundshëm për të mos përdorur alkoolin dhe për të krijuar alternativa të tjera në vend të tij.

Së katërti: Akademia e Fikhut Islam iu sugjeron gjithashtu edhe mjekëve, që të distancohen nga rekomandimi i medikamenteve që përmbajnë alkool, me sa të kenë mundësi.

 

Akademia e Fikhut Islam me qendër në Mekë