Një ndër gabimet më të rënda që disa nëna bëjnë me t’u lindur foshnja, është se përpiqen ta ushqejnë me qumësht industrial. Këtë e bëjnë me qëllim që të ruajnë linjat e trupit, bukurinë e gjoksit, por edhe për të mos humbur punën. Duke dashur të ruajnë bukurinë fizike dhe për të mos humbur punën, shumë nëna i injorojnë nevojat e fëmijës. Ato e lënë foshnjën të flejë dhe të qëndrojë me shërbëtoren ose babysiter. Rezultati i një injorimi të tillë është se fëmija sëmuret shpesh dhe krijon një atmosferë të mbushur me stres në familje. Ushqimi me qumështin e nënës është miliona herë më i mirë për shëndetin e fëmijës. Mëkimi, ashtu siç është i dobishëm për fëmijën, është i dobishëm dhe për shëndetin e nënës. Kjo, për arsyet e mëposhtme:

– Gjidhënia e rikthen mitrën në pozicionin e saj natyral në një kohë rekord;
– Ajo e kthen nënën në gjendjen e saj fiziologjike dhe të stabilizuar;
– Ajo kontribuon në planifikimin familjar, pasi pengon daljen e qelizave vezë nga vezorja;
– Ajo kontribuon edhe në luftën kundër kancerit të gjirit.

Kurse për sa i përket fëmijës, ushqimi me qumështin e gjirit të nënës e mbron atë nga ftohja dhe rrufa. Qumështi i gjirit ia rrit fëmijës imunitetin kundër sëmundjeve. Ai është një ndër ushqimet më perfektë, e ndihmon fëmijën të ketë një zhvillim normal, pa pasur nevojë për ushqim tjetër plotësues.

Psikologët pohojnë se qumështi i gjirit i transmeton fëmijës qetësi, dhembshuri dhe dashuri, gjë e cila e bën atë më të fortë ndaj sëmundjeve nervore. Ushqimi me qumështin e nënës i forcon lidhjet familjare, sidomos ato fëmijë-nënë.

Qumështi i nënës është steril(i pastër), gjë e cila i qetëson prindërit dhe i bën të mos kenë frikë se mos u helmohet fëmija për shkak të ushqimit. Gjithashtu, qumështi i gjirit ka një temperaturë konstante, të përshtatshme për fizikun e fëmijës. Qumështi i nënës është i gatshëm dhe nuk ka nevojë të përgatitet nga nëna.

/Xhasim Mutava – ” Familjet e Profetëve”/