Pyetja: Isha e punësuar si mjeke në një shkollë, kundërshtimi i një vepre të keqe në shkollë ishte shkak për të më përzënë nga puna dhe shkak që të ballafaqohem me telashe dhe probleme psikike dhe prej atij momenti i këshilloj fëmijët e mi që të mos ndalojnë nga e keqja në mënyrë që të mos ju ndodhë ajo që më ndodhi mua?

Përgjigje: S’ka dyshim se përzënia jote nga shkolla për shkak të ndalimit të së keqes është një vepër e shëmtuar. Motër e nderuar, e ke për detyrim që të urdhërosh në vepra të mira dhe të ndalosh nga e keqja dhe të mos brengosesh për atë se çfarë të ka ndodhur. E ke gëzuar Allahun dhe e ke kryer detyrimin tënd, ndërsa e gjithë çështja është në duart e Allahut, subhanehu ue teala. I Dërguari i Allahut ka thënë:

“Kush nga ju shikon një të keqe, le ta ndryshojë këtë me dorën e tij, e nëse nuk mundet ta bëjë këtë, atëherë le ta bëjë me gjuhën e tij, e nëse përsëri nuk mundet, atëherë le ta bëjë me zemrën e tij, por ky është besimi më i dobët.”

Allahu, subhanehu ue teala, thotë:

“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë Allahu. Allahu është ngadhënjyes, i urtë.”
Et-Teube, 71

Dhe:

“Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në Allahun. E sikur ithtarët e librit të besonin drejt, do të ishte shumë më e mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, po shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit.”
Ali Imran, 110

Nëse këtë vepër e ke bërë për hir të Allahut duke shpresuar në shpërblimin e Tij, s’ka dyshim se përfundimi do të jetë i dobishëm dhe në favorin tënd. Mos u pikëllo dhe as mos u brengos për këtë që të ka ndodhur, sepse Allahu, subhanehu ue teala, është Furnizues dhe e gjithë çështja dhe begatitë janë në dorën e Tij. Allahu, subhanehu ue teala, thotë:

“Kështu këshillohet ai që i beson Allahut dhe ditës së fundit, e kush u përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij. Allahu realizon dëshirën e vet dhe Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).”
Et-Talak, 2-3

“E kush i frikësohet Allahut, Ai atij ia lehtëson punën.”
Et-Talak, 4

Është detyrim për muslimanët që t’i forcojnë lidhjet me Allahun, subhanehu ue teala, dhe t’i frikësohen Allahut, pa marrë parasysh a është mësuese, mjeke apo drejtoreshë, të gjitha këto detyrohen të urdhërojnë për vepra të mira dhe të ndalojnë nga e keqja.

Ke gabuar kur i ke këshilluar fëmijët e tu që të mos këshillojnë për vepra të mira dhe të ndalojnë nga e keqja, ndaj pendohu tek Allahu, subhanehu ue teala, për këtë vepër dhe këshilloi t’i kryejnë detyrimet që i kanë për detyrë.

Shejh Abdulaziz ibën Bazi