Pyetja:

Përse nuk lexohet “Fatiha” (si lexim Kurani) në namazin e xhenazes sipas medhhebit hanefij?

***

Përgjigjja:

Leximi i fatihas është vaxhib në çdo rekat të çdo namazi përveç në namazin e xhenazes, nëse lexohet fatihaja në namazin e xhenazes me qëllim duaje lejohet, e nëse lexohet me qëllim të leximit të Kuranit prishet namazi (shiko Mebsutin-Hanefij) .

Transmetohet nga Ibni Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se është pyetur për namazin e xhenazes, a lexohet nga Kurani diçka? Ibni Mesudi është përgjigjur: “Nuk na ka obliguar i Dërguari i Allahut me lexim Kurani”, në një transmetim tjetër; “Lutej dhe nuk lexonte asgjë nga Kurani, mirrte tekbir si merr imami dhe përzgjidhte lutjet më të bukura për të vdekurin.”

Transmetohet nga Abdurrahman bin Auf dhe Ibni Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të dy)se kanë thënë: “Nuk lexohet në namazin e xhenazes asgjë nga Kurani për arsye se u ligjësua si dua/lutje e jo si namaz, lutja fillon me falënderim, madhërim dhe përshëndetje Pejgamberit ﷺ e jo me lexim Kurani, kurse fjala e Pejgamberit ﷺ: ”Nuk ka namaz pa leximin e Fatihas”, nuk ka të bëjë me namazin e xhenazes për arsye se namazi i xhenazes nuk konsiderohet namaz me të gjitha konditat që duhet t’i ketë namazi, por është: dua/lutje dhe Istigfar (kërkim falje për të vdekurin).”

Namazit të xhenazes përderisa i mungojnë shtyllat esenciale si: rukuja e sexhdeja atëherë si i tillë nuk mundë të konsiderohet namaz.

Namazi i xhenazes edhe pse e kushtëzon abdesin dhe kiblen megjithatë nuk konsiderohet namaz, si shembulli i sexhdes së leximit të Kuranit që nuk konsiderohet namaz.

Ibrahim Beqiri