Pyetje: Eselamu alejkum. Allahu ju ndihmoftë juve si staf i webfaqes, njëashtu edhe hoxhallarët e ndershëm që nuk ngurojnë të përcjellin diturinë që ua ka dhuruar Allahu.
Pyetja: Në historinë njerëzore Allahu rishtazi ka dërguar Resul dhe Nebij për të udhëzuar njerëzimin drejt rrugës së Allahut. Ajo që një kohë më brengos (dhe lus Allahun të më mbrojë nga shubuhatet e shtyra nga shejtani dhe injoranca ime), është se shumica e Pejgamberëve janë dërguar kryesisht në një pjesë gjeografike të tokës – në veçanti në atë të Lindjes së Mesme.
Kështu, shpeshherë mendoj se si ka qenë puna për popujt e lashtë si p.sh.: të Amerikës Latine, Australisë (aborigjinët), Afrikës (fiset e tyre) e më pas edhe Lindja e Largët me Japoninë dhe Kinën, ku dihet se edhe këta janë popuj të moçëm, ku njëashtu është bërë dhe bëhet shumë shirk.
E kam parasysh se Allahu nuk ka dënuar ndonjë popull pa u dërguar Pejgamber; për disa prej tyre na ka treguar e për disa nuk na ka treguar. Por pyetja është: Pse theksi është fokusuar në një pjesë të botës e jo në pjesët tjera, kur dihet se mëkati i shirkut është i njëjtë pavarësisht se nga kush dhe në cilin vend kryhet.
Shpresoj që kjo pyetje të jetë e qartë për hoxhën, dhe ma bëni hallall nëse e zgjata.
Përgjigje: Së pari: Allahu (azzevexhel) për t’i nxjerrur njerëzit nga errësirat në dritë, u dërgoi atyre pejgamberë dhe u zbriti atyre libra. Dhe me këtë nuk dalloi një pjesë të njerëzve, duke anashkaluar një pjesë tjetër, por dërgoi pejgamberë për të gjithë ata. Thotë Allahu (azzevexhel): “E nuk pati asnjë popull që nuk pati pejgamber”. (Fatir – 24) Kështuqë mendimi se Allahu dërgoi pejgamberë vetëm në lindjen e mesme, apo në një popull dhe vend të caktuar, dhe jo në popujt tjerë dhe vendet tjera, është mendim i gabuar dhe jo i vërtetë.
Së dyti: Allahu nuk e dënoi dhe nuk e dënon asnjë popull, nëse atyre nuk u ka arritur e vërteta e Islamit. Thotë Allahu (azzevexhel): “Ne nuk dënuam askënd, para se t’ia dërgojmë të Dërguarin“. (Isra‘ – 15)
Së treti: Allahu nuk na ka njoftuar për të gjithë pejgamberët, por vetëm për disa prej tyre dhe numri i pejgamberëve të cilët nuk përmenden në Kur’an, është shumë më i madh se numri i atyre që përmenden në të. Thotë Allahu (azzevexhel): tij (Nisa‘ – 164)
Së katërti: Përderisa Allahu na ka njoftuar vetëm me disa prej pejgamberëve, duke mos na njoftuar me disa të tjerë prej tyre, pa dyshim se këtu ka urtësi prej Tij (azzevexhel). Por, nuk është kusht për besimtarin që për çdo gjë të dijë urtësinë e Allahut, ngase ka mundësi që ta gjejë atë, dhe ka mundësi të mos arrijë ta kuptojë atë. Thotë Allahu (azzevexhel): “Allahu e di atë që ju nuk e dini“. (Bekare – 216)
Megjithatë disa prej dijetarëve kanë përmendur mendimet e tyre për urtësinë e Allahut në lidhje me këtë çështje, duke thënë:
1-Fillimi i Islamit ka qenë tek arabët dhe pejgamberët që janë përmendur në Kur’an kanë qenë në vendet më afër tyre dhe të dëgjuar për ta, kështuqë në këtë mënyrë ka qenë më e lehtë thirrja ndaj tyre dhe pranimi i të vërtetës prej tyre.
2-Tregimet e pejgamberëve që janë përmendur në Kur’an janë më tërhjekëse dhe më me ndikim se tregimet e pejgamberëve që nuk janë përmendur emrat e tyre, për atë edhe Allahu i ka përmendur ato tregime prej të cilave njerëzit mund të përfitojnë më shumë dobi dhe të ndikohen më shumë zemrat e tyre. Thotë Tahir ibn Ashur: Allahu nuk i ka treguar Pejgamberit (salallahu alejhi veselem) për shumë prej pejgamberëve, për shkak të mjaftueshmërisë që gjendet në tregimet e atyre që i ka përmendur, ngase të përmendurit (në Kur’an) janë pejgamberët më të mëdhenj dhe tregimet e tyre janë me më shumë dobi dhe ndikim. (Et-Tahrir vet-Tenvir 6/35)
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami




