Pyetje: Selam alejkum. Jam një motër që kam filluar të lexoj Kuranin në gjuhën shqipe. Jam në përfundim të Kuranit. Disa më thonë se kur të përfundoj duhet të shkoj të më këndoj hoxha dua, e disa më thonë jo, duhet vetë. S’di çfarë të bëj, ju lutem më këshilloni se çfarë më duhet të bëj kur të përfundoj leximin e Kuranit në shqip?
Përgjigje: Alejkum selam. Kur’ani i përkthyer në gjuhën shqipe nuk është Kur’an dhe nuk e ka vlerën dhe shpërblimin e tij, porse është përkthim dhe komentim i disa fjalëve të tij. Ndërsa Kur’ani i vërtetë, origjinal dhe i plotë, është ai në gjuhën arabe.
Edhe pse leximi i tij në gjuhën shqipe është i dobishëm për të përfituar nga mësimet dhe këshillat që gjenden në të, shpërblimi i tij nuk arrin në shpërblimin e leximit në gjuhën arabe.
Andaj, secili musliman duhet ta shfrytëzojë kohën e tij dhe të mos t’ia lejojë vetes asnjëherë që të jetë prej pjesëtarëve të Islamit, e të mos dijë leximin e fjalës së Allahut.
Kështu që, pas përfundimit të leximit të Kur’anit në gjuhën shqipe, bëre nijetin që sinqerisht të mësosh leximin e tij në gjuhën arabe dhe fillo menjëherë pa humbur kohë.
Ndërsa për dua nuk ka nevojë të shkosh te hoxha e as te dikush tjetër, por nëse dëshiron mund të bësh dua vetë, duke e lutur Allahun që Ai të pranojë ibadetin tënd dhe të të lehtësojë mësimleximin e Kur’anit ashtu siç ka zbritur prej Allahut (azze ve xhel).
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami




