Pyetja:
A është e ndaluar të punojnë gratë jashtë shtëpisë?
***
Përgjigjja:
Pa dyshim gruaja është faktori kyç në edukimin dhe zhvillimin e shëndoshë të çdo shoqërie, ngase roli i gruas në familje dhe shoqëri është i pazëvendësueshëm. Të gjithë e kanë për obligim të vlerësojnë rolin e saj, me qëllim që t’i lehtësohet kryerja e misionit të shenjtë si nënë, edukatore dhe mësuese e parë e njerëzimit. Për këtë arsye, themi që shoqëria jonë duhet të angazhohet dhe të punojë që gruaja të lirohet nga përgjegjësia e punës për të plotësuar nevojat materiale të familjes, ngase kjo është përgjegjësi që i takon burrit.
Puna e gruas jashtë shtëpisë në rastet kur e kërkon nevoja është e lejuar në rast se respektohen disa kushte, si vijon:
1. Zbatimi i mbulesës islame me përpikëri.
2. Puna që kryen gruaja duhet të jetë në përputhje me natyrshmërinë e saj, si, mjeke, mësuese, rrobaqepëse, etj. Me fjalë të tjera, puna që bën gruaja nuk duhet të jetë e rëndë dhe e papërballueshme për të.
3. Gjatë orarit të punës të mos jetë e vetmuar me mashkullin që konsiderohet i huaj për të.
4. Gruaja kur del jashtë shtëpisë nuk lejohet të parfumohet dhe t’i shfaqë bukuritë dhe stolitë e saj.
5. Nëse puna e saj kërkon që të ketë komunikim edhe me meshkujt, atëherë ajo duhet të ketë kujdes të shtuar në respektimin e edukatës islame në sjellje, komunikim dhe në veshje.
6. Puna që bën duhet të jetë e lejuar-hallall.
7. Puna e gruas jashtë shtëpisë të mos ndikojë në moskryerjen e detyrimeve që janë primare për të, si përkujdesja për shtëpinë, burrin dhe fëmijët, etj.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi