Pyetja:
Çka do të thotë nëse në ëndërr sheh se dikush të bën magji?
***
Përgjigjja:
Në pyetjen tuaj paraqiten dy çështje që kërkojnë sqarim: sihri-magjia dhe ëndrrat.
Kur është në pyetje magjia, muslimani duhet të besoj se magjia mund të bëhet dhe ka njerëz që bëjnë magji, siç kanë bërë edhe në të kaluarën, për të cilën gjë na flet edhe Kurani famëlartë. Poashtu, për magjinë ka folur edhe Pejgamberi ﷺ në hadithet e tij, bile edhe vetë Muhamedit ﷺ i kanë bërë magji, por marrë parasysh se ai ka qenë i Dërguar i Allahut, magjia nuk ka mundur të ketë ndikim tek ai në planin e shpalljes, po as të shkaktojë çrregullime më serioze në jetën e përditshme. Mirëpo, magjia si një sëmundje, e ka edhe ilaçin e vet, gjegjësisht shërohet me Kuran dhe lutje te Allahu i Madhërishëm që të ta largojë këtë bela. Poashtu, ka edhe masa mbrojtëse, gjegjësisht prej magjisë ruhemi nëse jemi të denjë si besimtar, të përkushtuar në fe, u përmbahemi rregullave fetare, jemi me abdes, falim namaz rregullisht, e përmendim Allahun shpesh, lexojmë sure të Kuranit, etj.
Personi, të cilit i është bërë magji, bën veprime jo të zakonshme dhe vërehet dallim te ai nga ajo që ka qenë para dhe që është tash. Ka edhe simptome tjera që vërtetojnë se personit i është bërë magji. Ëndrra nuk është mënyra autentike për ta kuptuar se personit i është bërë magji.
Për sa u përket ëndrrave, ëndrrat mund të jenë të natyrave të ndryshme. Unë personalisht nuk merrem me interpretimin e ëndrrave dhe nuk ka rregulla të caktuara në aspektin fetar se si interpretohen ëndrrat. Kjo është dhunti prej Allahut të Madhërishëm, siç ishte rast me Jusufin a.s. Mirëpo, shikuar në përgjithësi, ëndrat mund të jenë:të mira dhe të jenë sihariq prej Allahut për robin e Vet; mund të jenë të këqija që vjen prej shejtanit, me qëllim që t’i frikësojë njerëzit; dhe mund të jenë rezultat i asaj që ka përjetuar njeriu gjatë ditës, javës, apo të diçkaje me të cilën është i preokupuar.
Nisur nga kjo, për rastin tuaj, si dhe për rastin e shumë njerëzve që u ndodh kjo, nuk bën që të bazoheni në atë që e shihni në ëndërr, për të gjykuar për njerëzit, apo për të dyshuar te njerëzit, ngase ka mundësi që kjo t’u vjen prej shejtanit, me qëllim që të kacafyteni me njerëzit. Ëndrrat nuk janë fondament mbi të cilin ngritën gjykime dhe në bazë të cilit mund të jepen vlerësime.
Shumë njerëz gabojnë duke menduar se atë që e sheh në ëndërr, është realitet, në veçanti kur vuan nga ndonjë problem. Në ëndërr nuk mund të bazohesh për të thënë se filani apo filania më kanë bërë keq. Kjo nuk është e drejtë fetarisht. Fetarisht duhet të keshë argument të fortë dhe provë konkrete për ta akuzuar dikë me diçka të tillë.
Poashtu, nuk bën të besohen edhe fallxhorët dhe sihirbazat, të cilët për fat të keq gabimisht quhen edhe hoxhallarë. Në fakt, tek ata fillimisht nuk bën të shkohet, e edhe nëse ta tregojnë ndonjë person se të ka bërë diçka, nuk është mirë të besohen, ngase ata punojnë me xhin, dhe ka mundësi që xhini bashkë me të të mashtrojnë, që të të futin në konflikt me personin përkatës. Për atë, edhe në rast se ndonjë nga sihirbazat apo fallxhorët të thotë se filani ta ka bërë, nuk bën t’i besosh, sepse fjala e tij nuk është argument. Mund t’i thuash se ti ma ke bërë një të keqe, nëse ke provë të qartë dhe argument bindës për atë gjë.
Në rastin e kësaj ëndrre dhe rasteve të ngjashme, mbështetu në Allahun, kërko ndihmë prej Allahut, largohu nga mëkatet dhe haramet, falu, rri me abdes, ji i përpiktë në fe, dhe lute Allahun e Madhërishëm të t’i largojë të këqijat e kësaj ëndrre dhe të mbrojë nga sihiri, insha Allah nuk të ndodh gjë. Muslimani çdo herë duhet të jetë syçelë dhe të jetë i kujdesshëm ndaj këtyre gjërave, se ka njerëz qëllimkëqinjë që bëjnë gjëra të këtilla të ndaluara, por ëndrra nuk mund të merret për argument se vërtetë ai që e ke parë në ëndërr të ka bërë diçka. Lutju Allahut të mbrojë nga sherri i qëllimkëqinjve dhe puno ti ashtu si kërkon feja, insha Allah nuk do të gjejë asnjë e keqe.
Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Aliu