Pyetja:

Sa duhet të jetë gjatësia e mjekrës?

***

Përgjigja:

Shejh Albani thotë: “Dije se nuk ka ardhur ndonjë hadith i saktë nga Pejgamberi ﷺ në lidhje me shkurtimin e mjekrës, as me fjalë dhe as me vepër. Por është vërtetuar se disa prej selefëve e kanë vepruar këtë gjë, prej te cilëve përmendim:

  1. Mervan ibn Salim el Mukafea ka thënë: “Kam parë Ibn Umerin të kap me grusht mjekrën e tij dhe ta pres atë që shtohej nën grusht.” [1]
  2. Eshtë përcjell nga Ibn Abasi, se në Fjalën e Allahut: “Pastaj, haxhinjtë le të pastrojnë trupin e tyre…” (Haxh: 29), se ai ka thënë: Me “pastrimin e trupit” është për qellim: rruajtja e kokës, shkurtimi i mustaqeve, shkulja e qimeve të sqetullave, rruajtja e vendeve të turpshme, prerja e thonjeve, marrja nga mjekra, hedhja e gureve dhe qëndrimi në Arafat dhe në Muzdelife.” [2]
  3. E njëjta fjalë si ajo i Ibn Abasit, në të njëjtin ajet, është përcjellë edhe nga Muhamed ibn Keab el Kuradhi, dhe se ai ka shkurtuar mustaqet dhe mjekrën poshtë grushtit.
  4. Po kështu është përcjellë edhe nga Muxhahidi, se ai ka shkurtuar mustaqet, e të tjerë…

Sipas këtyre transmetimeve të sakta kuptohet se shkurtimi i mjekrës apo marrja prej saj ka qenë diçka e njohur tek selefët, ndryshe nga mendimi i disa vëllezërve tanë prej dijetarëve të hadithit të cilët janë shumë të ashpër në këtë çështje, duke u mbeshtetur në kuptimin e përgjithshëm të hadithit: “lëshoni mjekrat”, pa vënë re se ky përgjithesim nuk është per qëllim nga hadithi, dhe këtë e argumenton vetë vepra e selefëve, nga të cilët edhe Abdullah ibn Umer, Enesi, Ebu Hurejra, Ibn Abasi… Por ky shkurtim është i kufizuar me atë qe kalon mbi grushtin e dorës së vetë personit, kur e kap mjekrën e vet me grushtin e tij, që nga pjesa e përparme e nofulles te maja e mjekrës…”

“Silsiletu el hadith ed Daife”, nën hadithin me nr. 2355

———————————

[1] Ebu Davudi

[2] Ibn Ebi Shejbe, “Musanef” dhe Ibn Xheriri, “Tefsir”