Tekstet fetare kanë përmendur dhe sqaruar fryrjet në sur, të cilat gjithashtu përfshihen në besimin në ditën e gjykimit. Dëshmitë tregojnë për tre fryrje:

1 – Fryrja e parë është fryrje frikësimi (tmerri) dhe kjo vërtetohet nga fjala e Tij -te ala-:

”Dhe ditën kur të fryhet në sur, do të tmerrohet çdokush që gjendet në qiej e në tokë përveç atyre që Allahu do. Të gjithë do t’i vijnë Atij të përulur.” En- Neml, 27:87

2 – Fryrja e dytë do të sjellë vdekjen.

3 – Fryrja e tretë do të sjellë ringjalljen dhe ngritjen (nga varret).

Këto dy fryrjet e fundit përmenden në fjalët e Allahut -azze ue xhel-:

Kur do t’i fryhet surit do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në tokë përveç atyre që do Allahu; pastaj do të fryhet për të dytën herë në sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen e do të presin.” Ez-Zumer, 39:68

Këtë ndarje në tre fryrje e kanë zgjedhur Shejkhul-Islam Ibn Tejmijeh, Ibn Kajimi dhe dijetarë të tjerë analistë sepse Kurani përmend tre fryrje: një që lidhet me frikësimin (tmerrin), një që lidhet me vdekjen dhe një që lidhet me ringjalljen.

Shumë dijetarë të tjerë thonë se fryrjet janë dy: njëra lidhet me vdekjen; ajo do të zgjasë gjatë, fillon me frikësimin dhe përfundon me vdekjen.

Duke u mbështetur në dëshmitë e ajeteve, duket se mendimi i parë është më i saktë: që ka tre fryrje një për frikësimin, një për vdekjen dhe një për ringjalljen  dhe ata përnjëherë do të ngjallen e do të presin.

 

Shejkh Salih bin Abdil-Aziz Al-Shejkh
Sherh Lum’at-il-I’tikad, fq. 123-124
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com