Pyetja:
Esselamu alejkum!
Jam një djalë i ri, i sapo martuar. Desha t’ju pyes nëse më lejohet sipas fesë islame të bëj një dalje jashtë vendlindjes, duke u kurorëzuar formalisht me të shoqen e një mikut tim, i cili këtë ma mundëson vetëm e vetëm që të më ndihmojë, pasi që familjarisht po përballemi me një krize ekonomike të rëndë. Ajo që mua më intereson të di është a ka ndonjë kundërvajtje në sheriatin islam nëse miku im shkurorëzohet formalisht me të shoqen e tij, ndërsa unë të kurorëzohem me të formalisht. Këtë e bëjmë vetëm me procedurë shtetërore, pa e prishur niqahin me hoxhë! Si e vlerësoni këtë?

Përgjigjja:
Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim.
Elhamdulil-lah, ves-salatru ves-selamu ala resulil-lahi ve ba’d…

Fillimisht ju dëshiroj shëndet dhe suksese në jetë. I nderuar kam gatishmëri të kuptoj vështirësitë tuaja ekonomike për të cilën po flitni ju, andaj shpresoj të jeni të përfshirë në ajetin kur’nor ku Allahu xh.sh. thotë: “Dhe martoni të pamartuarit dhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershme e të ndershëm. Nëse janë të varfër, Allahu i begaton me mirësitë e Tij.” (En Nur: 32)
Për atë që pyetët, i nderuar një veprim i tillë nuk lejohet sipas Islamit, pra është haram. Shoku apo miku i juaj nuk guxon ta shkurorëzojë bashkëshorten e tij, siç thoni ju vetëm me letra por jo edhe me hoxhë, sepse kurora e martesës është e shenjtë dhe me të nuk guxojmë të luajmë. Nëse ai deklarohet se e ka lëshuar bashkëshorten qoftë edhe formalisht, apo me shaka bile sipas medhhebit hjanefij edhe me imponim, kjo deklaratë e tij sipas Islamit konsiderohet shkurorëzim. Këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit a.s. ku ka thënë: “Janë tri gjëra serioze që edhe shakaja në llogari të tyre është serioze: kurorëzimi, shkurorëzimi dhe rikthimi i gruas.” (Nejlul Evtar nga Ebu Hurejra, 6/264). Apo hadithi tjetër ku thotë: “Çdo shkurorëzim është i plotfuqishëm, përveç ai i të çmendurit dhe i të miturit.” (Fet´hul Bari).
Pra i nderuar, mendoj se e keni të qartë se për shkurorëzim nuk nevojiten dëshmitarë, mjafton deklarata e burrit, pastaj në Islam nuk ekziston shkurorëzim i përkohshëm, ashtu si nuk ekziston edhe kurorëzim i përkohshëm. Pra thënë shkurt dhe qartë ky veprim është i ndaluar sipas islamit.

Vallahu ealem!

Hoxhë Jusuf Zimeri